Mbillen 16 mijë fidanë të rinj gështenje në masivin pyjor të Pukës

Postuar: 15:27 / 20.02.2018

“Së bashku me prefektin dhe me ekspertët e mbështetur nga qeveria holandeze nëpërmjet projektit CNVP, ne jemi sot në Pukë për mbjelljen e 4 mijë fidanëve të parë të gështenjës,për të shkuar gjatë këtij sezoni në 16 mijë fidanë, të cilët do t’i shërbejnë drejtpërsëdrejti komunitetit”, tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi në fillimin e kësaj nisme në Qerret të Pukës.

Ministri Klosi tha gjithashtu se projekti për mbjelljen e 20 milionë e 200 mijë fidanëve deri në vitin 2020, jo vetëm që synon pyllëzimin e Shqipërisë por i shërben drejtpërsëdrejti komunitetit duke forcuar ekonominë nëpërmjet rritjes së punësimit dhe prodhimit, shkruan ATSh.

Territoret e braktisura dhe të degraduara kërkojnë vëmendje të veçantë nga biznesi pasi ato përbëjnë një potencial të lartë për zhvillimin e sektorit pyjor dhe agropyjor dhe forcon ekonominë e familjeve fermere në zonat më të thella të vendit.

“Jemi këtu në një zonë të lënë shumë larg vëmendjes së bizneseve, ndaj kemi ardhur së bashku me një grup të madh ekspertësh për t’i rikthyer një ndjesi shumë pozitive kësaj zone, për të mbjellë 4 mijë fidanët e parë, për të dhënë 4 mijë mundësi më shumë për ekonominë familjare të kësaj zone dhe po ashtu për të vazhduar projektin tonë për të pyllëzuar sa më shumë Shqipërinë”- tha Klosi.

Nga projekti përfitojnë punësim sezonal 100 vetë ndërsa familjet e zonës do të kenë një prodhim shumëfish më të lartë.

Kreu i Turizmit dhe i Mjedisit shprehu bindjen se në Ditët e Pemëve, më 23-24 shkurt në të gjithë vendin do të ketë një përfshirje shumë të madhe të qytetarëve për të mbjellë më shumë pemë, me qëllim krijimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe një ekonomie më të fortë.

Mbështetjen e pushtetit lokal në zbatimin e programit të mbjelljes së pemëve, e dha prefekti i qarkut Shkodër ndërsa përfaqësuesi  CNVP- së, shprehu gatishmërinë e projektit holandez për të vijuar zbatimin e plotë të projektit dhe ndihmën për banorët e zonës.

Gështenjat janë nga të vetmet pemë më produktive të kësaj zone dhe kërkesa e tregut ka rritur interesin e banorëve për t’i kultivuar duke shndërruar tokat inproduktive në dobi të përmirësimit të ambientit dhe ekonomisë lokale.  Mbjellja e 16 mijë fidanëve të gështenjave përfundon në fund të këtij muaji duke i shtuar fondit pyjor 35 hektarë pyllëzim.