Mbillet pema e njëmiliontë në Liqenin e Gramshit

Postuar: 11:00 / 21.03.2018

Në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve në Liqenin e Gramshit do të mbillet pema e njëmiliontë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Edi Rama u shpreh se aksioni kombëtar për pyllëzimin e vendit që vijon pa ndërprerje.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga Aksioni Kombëtar për Pyllëzimin e vendit që vijon pa ndërprerje dhe me lajmin e bukur se sot në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve mbjellim pemën e një miliontë në Liqenin e Gramshit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri.

Pemët ulin efektet nga ndryshimet klimatike, freskojnë temperaturën me 8 gradë dhe  reduktojnë me 30 për qind përdorimin e kondicionerit. Ato shërbejnë si pastrues të shkëlqyer të ajrit, reduktojnë ndotjen akustike dhe janë burim ushqimi për komunitetin. Po ashtu, pemët pastrojnë ujërat dhe gjenerojnë turizmin.

Mbjellja e pemëve ka gjithashtu impakt edhe në shtimin e punësimit, përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik, si dhe socializimin e njerëzve.

Në kuadër të planit kombëtar të gjelbërimit të territorit, synohet mbjellja e 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020. /ATSH/