Nga Bulqiza në Finiq, gati planet zhvillimore për 16 bashki

Postuar: 17:00 / 15.10.2018

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me mbështetjen e buxhetit të shtetit për periudhën 2018 – 2019, ka siguruar fondet e nevojshme për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për të 16 bashkitë e mbetura, duke plotësuar kështu paketën e 61 bashkive me Plane të Përgjithshme Vendore brenda mandatit të parë pas reformës territoriale.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri bëri të ditur sot se, janë lidhur kontratat dhe nis puna për Planet e Përgjithshme Vendore.

“Brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm, i gjithë territori plotësohet me Planet e Përgjithshme Vendore, që do të jenë platforma zhvillimi për 15 vitet e ardhshme për mënyrën se si do të zhvillohen Njësitë e Qeverisjes Vendore, në zonat rurale dhe urbane”, tha Gjiknuri.

Gjatë procedurës së prokurimit publik për ofrimin e shërbimit të konsulencës, të shpallur në 10 maj 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, njofton se ka nënshkruar tashmë këtë muaj, tetor 2018, kontratat me operatorët ekonomikë që do të ofrojnë shërbimin, me vlerë totale 195,443,025.6 lekë (me TVSH), të ndarë në 5 lote, më konkretisht:

– LOTI 1 “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Fushë-Arrëz – Has – Bulqizë”.

– LOTI 2 “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Peqin-Roskovec-Patos-Mallakastër”.

– LOTI 3 “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Pustec-Maliq-Devoll”.

– LOTI 4 “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Selenicë-Memaliaj-Tepelenë”.

– LOTI 5 “Hartimi i planeve të përgjithshme vendore për bashkitë Libohovë-Delvinë-Finiq”.

Aktualisht, ka nisur edhe hartimi i nismave për të 16 bashkitë përfituese, duke iniciuar punën për të përmbushur brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm 2019, plotësimin e territorit me PPV, që do të jenë platforma zhvillimi për 15 vitet e ardhshme për mënyrën sesi do të zhvillohen Njësitë e Qeverisjes Vendore, në zonat rurale dhe urbane. Investitorët shqiptarë dhe të huaj do të kenë një garanci më shumë për zhvillimin.

Planet e Përgjithshme Vendore (PPV) është një ndër nismat e para të qeverisë Rama, që nisi hartimin e një plani të përgjithshëm kombëtar të territorit, Shqipëria 2030, duke dashur që vërtetë plani i zhvillimit të Shqipërisë të jetë afatgjatë, një zhvillim i qëndrueshëm, vizionar, që dha piketat kryesore, mbi të cilat po realizohen edhe planet e përgjithshme vendore.