Pensionistët e Maqedonisë mund të pushojnë falas nëpër banjat e vendit

Postuar: 11:21 / 17.01.2018

Pensionistët e Maqedonisë kanë mundësi njëmujore që të aplikojnë për pushim falas në banjat e vendit, që ofrohet nga Ministria për Punë dhe Politika Sociale.

Kërkesa mund të dorëzohet në zyrat e Fondit për sigurim pensional dhe invalidor (FSPI) në komunat përkatëse, ku janë bërë gati formularët për aplikim.

Nëse pensionisti merr pension edhe nga ndonjë shtet tjetër, me të cilin Maqedonia ka lidhur marrëveshje, atëherë duhet që të dorëzohet edhe vërtetimi bankar për shumën e pensionit të jashtëm.

Kjo mundësi ofron gjashtë ditë akomodim dhe terapi në banjë, kontrolle mjekësore të patjetërsueshme dhe harxhime rruge, të gjitha këto falas. Kërkesa mund të dorëzohet deri më 16 shkurt.