“Për një Pukë të pastër”, evakuohen 300 tonë mbetje në dy muaj

Postuar: 12:01 / 25.05.2018

Në kuadër të nismës së bashkisë “PËR NJË PUKË TË PASTËR”, u zhvillua aksioni final i fushatës dy mujore “Të Pastrojmë Shqipërinë”.

Punonjës të administratës së bashkisë, institucioneve vendore dhe qytetar kontribuan gjatë paradites në pastrimin e mjediseve publike.

Këtij aksioni iu bashkua dhe kryebashkiaku i Pukës, Gjon Gjonaj, i cili tha se gjatë këtyre dy muajve u arrit të evitoheshin rreth 300 ton mbetje nga zona të ndotura të qytetit.

“Janë mbi 300 ton mbetje  të cilat kemi arritur ti evitojmë nga mjedise të ndotura gjatë këtyre dy muajve, por puna jonë nuk mbyllet këtu. Ky aksion do të vazhdojë në mënyrë periodike. Ajo çfarë  presim ne nga puna dy mujore është ndërgjegjësimi i komunitetit për mbrojtjen dhe mbajtjen pastër të ambientit”, tha Gjonaj.

Kryebashkiaku tha se mirëmbajtja e mjedisit nuk mjaftohet me fushata, ndaj i apelon qytetarëve për ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj mjedisit.

“Mirëmbajtja e ambientit nuk bëhet me fushata. Çdo njëri që e don sado pak këtë ambient, çdo njeri që e don familjen dhe fëmijët e tij, ta ruajë dhe ta mirëmbajë mjedisin, pasi është një pasuri e cila nuk blihet me lekë”, tha më tej kryebashkiaku.

Masat e bashkisë së Pukës nuk mbyllen këtu. Tashmë është hartuar plan masash ndaj atyre të cilët hedhin mbeturina në mjedise publike.

“Nga nesër do të jemi të detyruar të përdorim policinë bashkiake dhe gjobat sipas përcaktimit që bën ligji për të gjithë ata të cilët tregohen të pakujdesshëm duke hedhur mbeturina në mjediset publike” tha Gjonaj.

Në kuadër të nismës qeveritare “Të pastrojmë Shqipërinë” ndërmori aksionin “Për një Pukë të pastër”.