Përmet, nis rikonstruksioni i bibliotekës së qytetit

Postuar: 16:24 / 27.06.2019

Qytetarët përmetarë do të kenë së shpejti një bibliotekë me ambiente bashkëkohore.

Bashkia e Përmetit bën tët ditur se “ka nisur puna për rikonstruksionin e bibliotekës së qytetit, me fonde të financuara nga Bashkimi Europian, pas aplikimit në projektin “EXPLORAL” IPA CROSS-BORDER , i cili rezultoi fitues”.

Sipas bashkisë, ky ambient, i cili frekuentohej nga shumë persona që nga fëmijë deri në moshën e tretë, ishte në gjendje tepër të amortizuar dhe nuk ishte vënë dorë për investim që nga ndërtimi i saj.

Ky projekt ka në fokus rregullimin dhe sistemimin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme të bibliotekës, dixhitalizimin e titujve të librave më kryesorë, krijimin e një website me monumentet e kulturës, legjenda dhe gojëdhëna të traditës dhe trevës përmetare.

Shumë shpejt lexuesit përmetarë dhe jo vetëm do të kenë mundësinë të lexojnë në ambiente moderne dhe bashkëkohore. /ATSH/