Pritet borë dhe ulje temperaturash, këshillohen drejtuesit e mjeteve

Postuar: 16:42 / 08.01.2019

Vala e të ftohtit të acartë që ka përfshirë vendin pritet të jetë prezente edhe në ditët në vijim, me Autoritetin Rrugor Shqiptar që këshillon drejtuesit e mjeteve që të tregohen më të kujdesshëm në lëvizjen gjatë natës, pasi temperaturat pritet të shkojnë në vlera ekstremisht të ulëta.

Autoriteti Rrugor Shqiptar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit, Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile paralajmërojnë të gjithë drejtuesit e mjeteve se temperaturat do të jenë shumë të ulëta dhe se priten reshje bore në zonat malore.

ARRSH rekomandon që në segmentet Librazhd-Korçë-Kapshticë dhe Korçë-Ersekë, qarkullimi i mjeteve të bëhet me goma dimërore gjatë natës, apo edhe me zinxhir nëse do të njoftojmë se është i nevojshëm në orët në vazhdim, pasi pritet që të ketë reshje bore dhe temperatura shumë të ulëta.

“I rikujtojmë që duhet të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore. Të vendosin gomat dimërore në segmentet rrugore që kemi njoftuar, të respektojnë Patrullën e Policisë në terren dhe të lëvizin me shpejtësi të reduktuar”, apelon ARRSH për përdoruesit e rrugës.