Rehabilitohet pas 36 vitesh rruga për në Kalanë e Beratit

Postuar: 12:12 / 31.05.2018

Pas 36 vitesh ka nisur rehabilitimin rruga për në kalanë e Beratit. Ndërhyrja është pjesë e një pakete investimesh prej rreth 13.5 milionë euro, në kuadër të projektit për zhvillimin e integruar dhe turizmin që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore.

Për herë të parë po ndërtohet sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të ndotura dhe po vendosen linjat e elektro-telefonisë.

Kalldrëmi i ri është parashikuar të shtrohet me gur të zi me origjinë nga rrethinat e Beratit, i cili do ta rikthejë rrugën në origjinën e saj të hershme dhe do e unifikojë me kalanë, duke i dhënë një dimension të ri kulturor dhe historik, shkruan ATSH.

“Mihal Komneno” do të shërbejë vetëm si rrugë këmbësore për në kala. Qarkullimi i mjeteve drejt kalasë do të kryhet nëpërmjet rrugës “Muzak Topia” për të cilën fillon rikonstruksion gjatë këtij viti.

Pjesë e paketës së investimeve për Beratin është pika panoramike Tabja dhe sheshi përpara saj, që do të rehabilitohet tërësisht.

Pika panoramike do të pajiset me mjete vrojtimi për t’u mundësuar turistëve e vizitorëve të shijojnë panoramën e mrekullueshme të luginës së Osumit.