Rruga Elbasan-Tiranë kërkon edhe 138 mln dollarë shtesë

Postuar: 13:32 / 18.09.2018

Rruga Tiranë-Elbasan kërkon të tjera fonde për përfundimin e saj. Sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, rruga ishte parashikuar që të merrte 312 milionë dollarë, ndërsa tashmë duhen 450 milionë dollarë.

Nga buxheti i shtetit duhen edhe 138 milionë dollarë të tjera. Ministri nuk e argumentoi arsyen e  shtimit të kësaj shume, por tha se në përgjithësi ndodh gjithmonë kështu me investime të tilla.

Këtë deklaratë, ministri i linjës e bëri në Komisionin e Ekonomisë, ku ai ishte thërritur për t’iu përgjigjur interesimit të deputeteve për aksin në fjalë.

Më tej sa i përket mirëmbajtjes së rrugëve, Gjiknuri u shpreh se ka ardhur momenti që të kontribuojnë përdoruesit. Ai u shpreh se duhen rreth 50 milionë dollarë për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor në vend.