Tiranë: Nis ndërtimi i tre rrugëve të reja në Pezë

Postuar: 14:56 / 23.06.2017

Në dy vitet e ardhshme, fokusi i punës së Bashkisë së Tiranës do të jetë përmirësimi i infrastrukturës dhe i shërbimeve në zonat rurale.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Kryetari i Këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi, inspektoi punimet për ndërtimin e tre rrugëve të reja në zonën e Pezës, të cilat do të lehtësojnë komunikimin dhe shkëmbimin e mallrave të banorëve të kësaj zone me tregjet në kryeqytet. Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me Këshillin e Qarkut, do të sigurohen që investimet të shtrihen në të gjitha njësitë administrative.

Kryebashkiaku Veliaj siguroi vijimin e investimeve edhe gjatë stinës së verës. “Siç kemi premtuar, ka apo s’ka fushatë, ka apo jo pushime verore, punët që janë nisur do mbarojnë. Do të vijojmë gjatë gjithë kohës me investimet, jo vetëm në zonën e Pezës, por edhe në zonën  e Ndroqit, në zonën e Bërzhitës, ku jemi duke punuar aktualisht, edhe në Krrabë, Mushqeta, në Zall Bastar, Zall Dajt”, tha ai.

Veliaj deklaroi se vetëm për komunën Pezë janë në plan 6 projekte, të cilat do të përfundojnë shumë shpejt. Ai tha se falë mbështetjes së Kryeministrit Edi Rama, investimet do të jenë edhe më të mëdha. “Besoj që Peza është një nga ato ish komuna që ia pa hajrin bashkimit me Tiranën, sepse fuqia investuese e Tiranës bashki dhe e Tiranës qark, është shumë herë më e madhe se sa një komunë e vogël, me pak banorë, me pak të ardhura, çka përkthehej në më pak taksa e investime.