Tiranë: Përfundon ndërtimi i rrugës "Oxhakut"

Postuar: 13:49 / 21.09.2017

Dhjetë mijë banorët e zonës së “Oxhakut” në Njësinë 4 kanë një rrugë të re, me infrastrukturë nëntokësore, ndriçim dhe gjelbërim. Bashkia e Tiranës përfundoi në kohë rekord rikonstruksionin e plotë të Rr. “Imer Ndregjoni”, ose siç njihet ndryshe rruga e “Oxhakut”, që lidh Njësinë 3 me rrugën kryesore të Njësisë 4.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet e realizuara, ndërsa theksoi se falë këtij projekti i është dhënë fund problematikës që ajo shkaktonte te banorët dhe drejtuesit e automjeteve.

“Jam shumë i lumtur që kthehem sot dhe shoh këtë punë fantastike në Rr. “Imer Ndregjoni”. Kjo ka qenë një rrugë famëkeqe e Tiranës, rruga e Oxhakut, ku dikush mendohej mirë kur kalonte në verë nga pluhuri dhe nga balta në dimër, kurse sot është një situatë krejt tjetër. Jo vetëm rruga me cilësi më të mirë, por edhe vende të reja të parkimit, hapësira të gjelbra, rregullim fasadash”, tha Veliaj.

Ai theksoi se ky investim ka sjellë rritje të vlerës së pronës dhe bizneseve në zonë, ndërsa bëri të ditur se bashkia po studion situatën që këtij projekti t’i bëhen edhe ndërhyrje të tjera që mund t’i vinin në ndihmë banorëve. “Kemi një rritje të vlerës së biznesit sepse ka më shumë frekuentim, mjedisi është më i këndshëm. Jemi duke menduar edhe për të vendosur një treg apo një kënd lodrash, ose shtojca të tjera që mund t’i bëhen projektit, për ta bërë rrugën akoma më të mirë”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj tha se ky është vetëm një nga investimet e rëndësishme që bëhen në këtë zonë, pasi paralelisht po punohet edhe në rikonstruksionin e plotë të rrugës së “Dibrës”, për të cilën ai bëri të ditur se do të ndërhyhet edhe për zgjerimin e trotuareve për këmbësorët. “Është një rrugë që lidh dy njësi, 3 me 4, dhe besoj që me ndërhyrjen që do të bëjmë edhe në Rr. e “Dibrës” ku do të tërhiqet edhe muri i Shkollës së Bashkuar për ta bërë më funksional gjithë atë trotuar, pra pa hipur e zbritur disa herë shkallët, që të jetë i aksesueshëm nga të moshuarit, nga ata me aftësi të kufizuar, besoj që e gjithë lagjja konturohet”, u shpreh Veliaj.