Tiranë: Shtohen edhe 870 fidanë pishe në parkun e Liqenit të Farkës

Postuar: 16:30 / 11.12.2017

Parku i Liqenit të Farkës po shndërrohet në një pikë referimi për frekuentuesit e të gjitha moshave që duan të kalojnë disa orë të qeta në ajër të pastër e larg zhurmës së qytetit.

Në përgjigje të thirrjes së Bashkisë së Tiranës për të mbjellë një numër pemësh për çdo makinë, kompania Porsche Albania iu bashkua kësaj nisme duke dhuruar 870 fidanë pishe, të cilat iu shtuan Liqenit të Parkut të Farkës, si pjesë edhe e projektit të Pyllit Orbital.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi të gjithë ata që kontribuan për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në kryeqytet, duke ndihmuar për një jetë të shëndetshme edhe për brezat e ardhshëm.

“Jam 870 herë mirënjohës për secilën prej pemëve që është mbjellë këtu sot. Thirrja që kemi bërë për të mbjellë një numër pemësh për çdo makinë të përdorur, ka marrë përgjigjen e duhur, kështu që u jam shumë mirënjohës sot, jo vetëm për dhurimin e pemëve, por për faktin që e gjithë kompania me familjet, me fëmijët, me partnerët e tyre e trajtojnë këtë si një ditë komuniteti. Unë besoj që kur të kalojnë këto sherret tona, kur të jetë zhvilluar vendi do kemi mundësi të kthejmë kokën mbrapsht dhe të themi, kjo ishte ajo pjesë e Pyllit Orbital që mbollëm ne”, tha Veliaj.

Synimi i Bashkisë së Tiranës është që deri në përfundim të sezonit të mbjelljes së pemëve të reja, kryeqytetit t’i shtohen në total 100 mijë pemë. Duke e cilësuar si dhuratën më të mirë për Tiranën, kreu i Bashkisë ftoi qytetarët që t’i bashkohen këtij koalicioni.

“Besoj që në këtë stinë të festave, ku të gjithë duan një dhuratë, edhe Tirana ka personalitet dhe do një dhuratë. Dhurata më e mirë që mund t’i japim sot Tiranës për festa janë 870 pemë, nesër më shumë të tjera, dhe të vazhdojmë me këtë ritëm. Siç po ecim çdo ditë, do kapim rekordin tonë të 100 mijë pemëve në këtë stinë mbjelljesh. Kështu që, do vazhdojmë gjatë gjithë stinës së festave. Kush do t’i bëjë një dhuratë Tiranës, nëse do ta kishin anëtarë të familjes së tyre, t’i dhurojë Tiranës 1 pemë”, tha ai,.

Krahas mbjelljes së pemëve të reja, për të përmirësuar cilësinë e ajrit gjithnjë e më shumë Tirana po transformon edhe transportin e saj duke i dhënë prioritet mjeteve ekologjike me ambientin. Kryebashkiaku Veliaj kërkoi prej qytetarëve dhe kompanive të transportit që të orientohen drejt automjeteve që janë miqësore me mjedisin, duke ulur në këtë mënyrë edhe nivelin e ndotjes së ajrtit.

“Po largohemi gjithmonë e më shumë nga transporti diesel, me benzinë ose edhe me gaz, për të shkuar drejt transportit të gjelbër, hibrid dhe elektrik. Më vjen mirë që shumë kompani po e dëgjojnë këtë thirrje. U bëj thirrje kujtdo që do blejë një makinë, ose për arsye personale ose për arsye të biznesit, ose që do lëvizë kryesisht brenda përbrenda qytetit të Tiranës, ta bëjë këtë me një makinë elektrike. Ta përqafojmë të ardhmen, jo vetëm duke mbjellë pemë, por edhe duke blerë makina elektrike”, deklaroi Veliaj.

Komente: 0 Kukës-Morinë, dublimi i urave përfundon brenda këtij viti 11:19 / 09.10.2018 Duket se shumë shpejt punimet në Rrugën e Kombit do të përfundojnë. Brenda këtij viti përfundon ndërtimi i të 7-të urave dubluese me të gjitha elementët e sigurisë, në segmentin Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit.
Komente: 0 Nga Bulqiza në Finiq, gati planet zhvillimore për 16 bashki 17:00 / 15.10.2018 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me mbështetjen e buxhetit të shtetit për periudhën 2018 – 2019, ka siguruar fondet e nevojshme për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për të 16 bashkitë e mbetura, duke plotësuar kështu paketën e 61 bashkive me Plane...
Komente: 0 Rrajca, befasi turistike në stinën e vjeshtës 11:23 / 09.10.2018 Rrajca, një fshat në lartësitë e Librazhdit, pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, po kthehet çdo vit e më tepër në një atraksion të fuqishëm turistik.