Tiranë, “Unazën e Re”, ankimohet tenderi për mbikëqyrjen

Postuar: 13:09 / 15.01.2019

Telashet për lotin 1 të Unazës së Tiranës, që po i nënshtrohet rehabilitimit nga mbikalimi te pallati me shigjeta e deri te rreth-rrotullimi Shqiponja duket se nuk kanë të sosur.

Në datë 11 janar, në Komisionin e Prokurimit Publik, është dorëzuar ankimi nga një kompani private e cila kundërshton procedurën e “Supervizion punimesh, rehabilitim i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta rreth-rrotullimi Shqiponja Loti 1” të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Kjo procedurë është fituar më herët nga “AVE Consulting” & “Archispace” sh.p.k., një prej tetë kompanive që morën pjesë në procedurë në shtator të këtij viti ndërkohë që ankimi është bërë nga kompania A&E Engineering sh.p.k.

Aktualisht procedura për vetë rehabilitimin në Lotin 1 të Unazës së Tiranës është në proces vlerësimi ofertash të cilat u hapën këtë të hënë. Gjashtë kompani shprehën interes për vijuar punimet në këtë pjesë ndër të tjera Gjoka Konstruksion SH.A. & Shansi invest sh.p.k, Curri sh.p.k. & Vëllezërit Hysa sh.p.k. & Agri Konstruksion, Geci sh.p.k, ANK sh.p.k, GD Granit AD Skopje dhe Baftjar Murati. Fondi limit për këtë lot është 2.2 miliardë lekë.

“Në përputhje me ligjin e Prokurimit Publik, Autoriteti Rrugor Shqiptar tanimë ka filluar procedurën e vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur. Pas shqyrtimit të dokumentacionit do të kalohet në vlerësimin e ofertave, shpalljen e rezultatit dhe bërjen e tij publike. Kriteret dhe kërkesat ligjore në këtë garë, të publikuara edhe në Agjencinë e Prokurimit Publik janë të njëjtat me ato të garës së mëparshme për të njëjtin lot të unazës dhe nuk ka ndryshuar asnjë prej tyre” bëri me dije ARRSH.

Loti 1 u ritenderua pas bërjes publik të skandalit ku kompania fituese në fazën e parë DH Albania rezultoi se kishte falsifikuar dokumentet për të plotësuar kushtet e nevojshme që e shpallën atë fituese të tenderit.

Ndaj DH Albania ka filluar hetim ndërkohë që qeveria deklaroi se do të ekzekutonte garancinë e kompanisë. Të dhënat do të tregonin se DH Albania kishte fituar edhe një tjetër tender me vlerë 13 milionë euro pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, kontratë e cila u prish në mënyrë të njëanshme menjëherë pasi u bë publik skandali lidhur me tenderin e Unazës. Aktualisht dy lotet e tjera të kësaj unaze kanë kontrata që vijojnë të mbeten në fuqi dhe që do të zbatohen dhe bëhet fjalë për Lotin 2 dhe 3 të kësaj rruge.