Uji në Tiranë, çmimi më i ulët në 12 qarqe

Postuar: 12:23 / 16.11.2017

Me çmimet aktuale në Tiranë, 30 metra/kub të konsumuar për një muaj kushtojnë 2140 lekë. Këtu futet çmimi i ujit, tarifa e largimit, tarifa e shërbimit mujor dhe tatimi mbi vlerën e shtuar.

Me tarifat e reja të miratuara tashmë nga Enti Rregullator i Ujit, pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, nga 1 janari i 2018 kjo faturë do të kushtojë rreth 3 mijë lekë, pra qytetari do të paguajë rreth 840 lekë më shumë.

Në fakt po t’i referohemi tarifave aktuale të ujit të publikuara nga Enti Rregullator i Ujit, uji në kryeqytet kushton më lirë se në 12 qytete të tjera, që janë: Berat-Kuçovë, Delvinë, Fier, Korçë, Lezhë, Lushnjë, Malësi e Madhe, Pogradec, Rrogozhinë dhe Sarandë.

Kur çmimi të rritet nga 1 janari i ardhshëm, uji në Tiranë do të barazohet me Korçën, por do të jetë më i ulët se çmimi i ujit në Durrës. Rritja mujore në Tiranë është argumentuar nga bashkia e kryeqytetit për të mbuluar investimet që do të mundësonin furnizimin me ujë të Tiranës 24 orë në ditë, brenda 5 viteve të ardhshme.