Veliaj: Laboratorë modernë informatikë në të gjitha shkollat e Tiranës

Postuar: 13:45 / 18.05.2018

Të gjitha shkollat e Tiranës do të pajisen me laboratorë modernë për zhvillimin e lëndës së teknologjisë së informacionit. Ky është lajmi i mirë që vjen për nxënësit e kryeqytetit, pas prezantimit të projektit për transformimin e Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë dhe inovacionit në rajon.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorja e Greqisë në vendin tonë, Eleni Sourani përuruan laboratorin e ri të informatikës në shkollën “Vasil Shanto”.

“Jam shumë i lumtur që sot po hapim një laborator informatike, që vjen si një investim konkret me 14 kompjutera për klasën e informatikës në shkollën ‘Vasil Shanto’. Unë e di që Tirana ka 226 shkolla, por duke folur për të 226 nuk zgjidhim gjë, ama duke folur për secilën prej tyre e duke bërë çdo ditë nga një punë me miq që dhurojnë diçka konkrete, atëherë mund transformojmë çdo shkollë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me donatorët, do ta shtrijë projektin e ndërtimit të laboratorëve të informatikës në të gjitha shkollat e qytetit.

Një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e të rinjve për teknologjinë e informacionit do të jetë japë edhe transformimi i Piramidës, e cila shumë shpejt do të kthehet në qendrën më të madhe rinore multifunksionale në rajon, duke shërbyer si një hapësirë për shkëmbim idesh e nismash, por edhe një inkubator për bizneset e reja në fushën e ICT dhe komunikimit.