Veliaj: Linja e parë e autobusëve elektrikë në fund të janarit

Postuar: 15:04 / 23.01.2018

Kryebashkiaku Erion Veliaj prezantoi disa nga nismat e ndërmarra për ta bërë Tiranën një kryeqyetet miqësor ndaj mjedisit. Veliaj tregoi se 4 mijë biçikleta vijnë në kryqyetet në muajin shkurt dhe paralajmëroi linjën e parë të autobusëve elektrikë.

“Kemi përgatitur një propozim për Këshillin Bashkiak për linjën e parë të autobusëve elektrikë. Do të miratojmë një linjë të re dhe do t’ju themi: “Kush sjell autobusë elektrikë, e merr menjëherë linjën”. Unë besoj që duke incentivuar, jo vetëm me shkurtim burokracie, që e kanë le të themi mjetet me diesel, por edhe duke vënë disa incentiva të tjera që nesër mund të përkthehen në më pak tvsh, më pak doganë, apo çmime të reduktuara të atyre që furnizojnë mjetet e transportit me energji elektrike”, nënvizoi Veliaj.

Gjithashtu, të gjitha ata që sjellin në kryeqytet taksi elektrike pajisen me licencë brenda 24 orëve.

“Një nga gjërat që po bëjmë në Tiranë është inkurajimi i një transporti shumë herë më të dobishëm dhe të pastër. Sot kemi 3 kompani taksish që janë 100 për qind elektrike dhe karikohen nga rrjeti i OSHEE. Sot në Bashkinë e Tiranës, nëse një prej jush vjen dhe kërkon licencë për taksi 100 për qind elektrike, e merr licencën për 24 orë. Pse po e bëjmë këtë, pikërisht për të inkurajuar dikë që do të futet në treg me një transport më të pastër”, deklaroi ai.

Sipas Veliajt, për Tiranën, 2018 do të jetë viti i një revolucioni të gjelbër. Krahas realizimit të një sërë projektesh të rëndësishme të cilat jo vetëm do të përmirësojnë infrastrukturën dhe shërbimet ndaj qytetarëve, Bashkia e Tiranës po i kushton një vëmendje të veçantë shtimit të gjelbërimit në kryeqytet duke përmirësuar jo vetëm anën estetike, por edhe krijuar një mjedis më të shëndetshëm për qytetarët.