Veliaj: Mesazhi i Skënderbeut është bashkimi

Postuar: 13:30 / 04.09.2017

Debatit të mbulimit të statujës së Heroit Kombëtar Skënderbeu me ekrane të mëdha gjatë faljes në Festën e Bajramit i është shtuar dhe kreu i bashkisë Erion Veliaj.

Ai tha se mesazhi i Heroit është bashkimi dhe harmoninë fetare duhet ta kurojmë përditë.

“Mesazhi i Skënderbeut është të rrimë bashkë. Duke qenë bashkë, si sot, japim mesazhin e duhur. Të gjithë u ndjemë krenare kur para pak muajsh në Paris, krerët e besimeve të Shqipërisë parakaluan dhe u duartrokitën nga gjithë civilizimi perëndimor për atë harmoni. Harmonia fetare nuk është diçka që e marrim të mirëqenë, është diçka që duhet ta kurojmë përditë”, theksoi Veliaj.

Në 1-vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Veliaj nderoi me medaljen në emrin e saj fondacionin Alsar, që ndihmon fëmijët jetim dhe Komunitetin Papa Giovani XXIII që ka në fokus njerëzit në rrugë.

“Jam posaçërisht i lumtur sot që, ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, nderojmë me medaljen e saj dy vëllezër, dy bashkëpunëtorë, dy komunitete vullnetarësh, bamirësish dhe njerëzish që me skuadrat e tyre bëjnë punë fantastike. Janë dy organizata me bazë besimi, njëra me besimin mysliman dhe tjetra me besimin e krishterë, por secila prej organizatave ka gjetur një shteg për të zgjidhur një problem”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se dhënia e medaljeve për dy organizata me bazë dy besime të ndryshme, vjen në një moment kur më shumë se kurrë kemi nevojë të kujtojmë se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa ato që na ndajnë.