Veliaj: Në fillim të 2018 nis rehabilitimi i Kopshtit Zoologjik

Postuar: 14:00 / 16.11.2017

Deri pak javë më parë, lagjja në krah të Kopshtit Zoologjik ishte pjesë e Tiranës si zonë, por zor se mund të quhej qytet nga mungesa e madhe e infrastrukturës urbane. Ujërat e bardha që qarkullonin në gjendje të lirë, pluhuri në verë dhe balta në dimër, ishin shoqëruesit e përhershëm të banorëve të saj.

Sot, falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës, por edhe bashkëpunimit të bizneseve dhe banorëve, lagjja ka marrë një pamje krejt tjetër dhe nuk bën më dallim nga pjesa tjetër e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve për sistemimin e bllokut të banimit në rrugën “Alla” dhe “Shyqyri Brari”, pranë Kopshtit Zoologjik, ndërsa vlerësoi faktin se veç shtrimit të rrugëve dhe trotuareve, janë bërë të gjitha punimet e tjera nëntokësore dhe ato sipërfaqësore, duke përfshirë ndriçimin dhe sinjalistikën.

“Jam shumë i kënaqur sepse vetëm para pak javësh, në fillim të vjeshtës, ishim këtu dhe e gjithë zona e Kopshtit Zoologjik në fakt nuk merrej vesh nëse jetohej më mirë brenda Kopshtit Zoologjik apo jashtë Kopshtit Zoologjik. E them këtë pa humor, sepse situata i ngjante realisht një prej atyre episodeve ‘vende dhe popuj’, ku të mbysnin balta, dheu, zhuli dhe pluhuri. Sot është një gjendje krejt tjetër, ndaj edhe dua t’i falenderoj kolegët, që kanë bërë një punë fantastike për pak javë. Një punë e bërë në kohë rekord, por gjithashtu edhe në mënyrë cilësore”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai falenderoi në mënyrë të veçantë të gjithë banorët që treguan mirëkuptim për realizimin e këtij projekti, ndërsa kërkoi prej tyre që ta mirëmbajnë atë. Ndërkohë, ai tha se ky investim është vetëm një nga pjesët e projektit të Bashkisë së Tiranës për t’i dhuruar Tiranës rreth 200 rrugë të rikonstruktuara dhe të reja në vit. “Kjo është pjesë e projektit për të rehabilituar 200 rrugë, pra është një buqetë rrugësh që po rehabilitohet në të gjithë Tiranën. Do ta vazhdojmë edhe për të kapur lagjen e fundit të Kopshtit Zoologjik, që është shumë afër majës së kodrës dhe për t’u siguruar që, ndodhi-ç’ndodhi me ish-komunën Farkë, Bashkia e re e Tiranës, që ka edhe Farkën brenda, të mos bëjë diferencime. Po punojmë nga ekstremi i Liqenit të Farkës e deri në ekstremin tjetër, që është në fakt kufiri mes Farkës dhe Selitës, edhe Kombinatit”, tha Veliaj.

Ai theksoi se dallimi mes qendrës dhe periferisë do të zbutet edhe më tej falë investimeve të shtuara që parashikon projektbuxheti i vitit 2018. Një nga investimet e tjera që do të prekë këtë zonë është edhe ai për fillimin e rehabilitimit të Kopshtit Zoologjik. “Fillimisht do të bashkojmë Kopshtin Zoologjik me Kopshtin Botanik përmes një ‘tuneli’; pasi ta kemi shtuar këtë masë do ta bëjmë mjedisin e Kopshtit Zoologjik dhe Botanik në një ambient që i rikthehet qytetarëve. Kemi bërë disa riparime, Kopshti Zoologjik është më mirë sot për fëmijët, ka një pafundësi aktivitetesh, por imagjinoni sa i madh është potenciali në momentin që ne bëjmë edhe shtesën me Kopshtin Botanik”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Komente: 0 Rrajca, befasi turistike në stinën e vjeshtës 11:23 / 09.10.2018 Rrajca, një fshat në lartësitë e Librazhdit, pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, po kthehet çdo vit e më tepër në një atraksion të fuqishëm turistik.
Komente: 0 Nga Bulqiza në Finiq, gati planet zhvillimore për 16 bashki 17:00 / 15.10.2018 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me mbështetjen e buxhetit të shtetit për periudhën 2018 – 2019, ka siguruar fondet e nevojshme për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për të 16 bashkitë e mbetura, duke plotësuar kështu paketën e 61 bashkive me Plane...
Komente: 0 Kukës-Morinë, dublimi i urave përfundon brenda këtij viti 11:19 / 09.10.2018 Duket se shumë shpejt punimet në Rrugën e Kombit do të përfundojnë. Brenda këtij viti përfundon ndërtimi i të 7-të urave dubluese me të gjitha elementët e sigurisë, në segmentin Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit.