Zgjidhet problemi i ujit për banorët e dy lagjeve në Tiranë

Postuar: 10:56 / 24.05.2018

Dy lagje të tjera në Tiranë i kanë dhënë fund problemeve me ujin e pijshëm. Falë ndërhyrjeve që janë bërë në rrjetin e shpërndarjes, banorët që jetojnë në rrugën “Fortuzi” në Njësinë 9 dhe ata që banojnë në rrugën “Pjetër Dungu” në Njësinë 4 në Kinostudio do të kenë furnizim më të mirë dhe më cilësor me ujë.

Bashkia e Tiranës ka përfunduar në të dyja këto lagje shtrirjen e një rrjeti të ri shpërndarje të ujit, i cili do të shmangë të gjitha problematikat e hasura deri më tani dhe që vinin për shkak të rrjetit të vjetër dhe të amortizuar.

Në rrugën “Fortuzi” ka përfunduar investimi në rrjetin e kanalizimeve, çka do të eliminojë problemet me furnizimin dhe cilësinë e ujit që vinin për shkak të rrjetit të amortizuar.

Ndërkohë që në rrugën “Pjetër Dungu” përfunduan lidhjet e reja me rrjetin e ujësjellësit pas investimit të kryer në linjën kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm.

UKT po punon paralelisht në investimet në linjat kryesore të transmetimit dhe në përmirësimin e rrjeteve të shpërndarjes nëpër lagje.