KOK-u dhe komuna diskutojnë për Ligjin për Sponsorizimin e Sportit

FerizajPostuar: 11:34 / 03.05.2018

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar nga nënkryetari Naim Ferati dhe drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Xhemile Murati, kanë pritur në një takim presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës Besim Hasanin me bashkëpunëtoret e tij.

Ky takim kishte për qëllimi njoftimin dhe sqarimin në detaje të Rregullores që përcakton kriteret, procedurat dhe formën e vërtetimit në sport.

Me këtë rast nënkryetari Naim Ferati, është shprehur se ky Ligj ka një rëndësi shumë të madhe me vet faktin se po bisedohet për sportin në përgjithësi.

“Sigurisht se sot do të debatohen tema që janë në interes të të gjithë sportistëve dhe dashamireve të sportit, siç është zhvillimi i sportit në përgjithësi dhe ajo më e rëndësishmja është që për herë të parë që po diskutohet në këtë nivel është edhe fillimi i implementimit të Ligjit për Sponsorizim, i cili tashmë ka kaluar fazat ligjore dhe jemi në këtë fazë të informimit dhe debatit lidhur me implementimin e këtij Ligji i cili ka qenë shumë i mirëpritur, shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të gjithë qytetarët dhe sportistet”, ka thënë nënkryetari Ferati.

E nga ana tjetër presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, është shprehur se Ligji mbi sponsorizimin është shumë i rëndësishëm si për sportistët, për klubet për federatat, por edhe për Komitetin Olimpik të Kosovës.

“Ne si komunitet i sportit, këtë ligj e konsiderojmë si njërin ndër ligjet më të mira që ekzistojnë në rruzullin tokësor, sa i përket mundësisë që biznesi të lidhet me sportin. E mira e këtij ligji është që të gjitha palët kanë benifite, si komuniteti i sportit, komuniteti i biznesit, por edhe vet shteti”, ka thënë presidenti Hasani.

Në këtë takim përveç prezantimit, u zhvillua edhe një debat i gjerë për Ligjin e Sponsorizimit të sportit, i cili u mirëprit nga të pranishmit dhe u rekomandua që të zbatohet në përpikëri në dobi të sportit kosovar, sepse ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e kualitetit dhe ndikon ne mirëqenien e sportit dhe të sportistëve. /InfoKomuna/