U mbajt turneu i tretë ndërkombëtar i karatesë në Fushë-Kosovë

Fushë KosovëPostuar: 21:03 / 07.03.2016

Klubi i Karatesë “Fushë-Kosova”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Fushë-Kosovë dhe Federatën e Karatesë së Kosovës, nën Patronazhin e Kryetarit të Komunës, z, Burim Berisha, kanë organizuar turneun e tretë ndërkombëtar të karatesë “Fushë-Kosova Open 2016”.

Në këtë turne po marrin pjesë 40 ekipe me mbi 300 karateistë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Pjesë e këtij turneu kanë qenë karateistët e të gjitha grupmoshave. Kryetari Klubit të Karatesë “Fushë-Kosova” Bashkim Ibrahimi, derisa u uroi klubeve pjesëmarrëse sukses në këtë turne njëkohësisht falënderoi Kryetarin e Komunës së Fushë-Kosovës Burim Berisha për përkrahje të vazhdueshme.

Ndërsa Fadil Arifi, Kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës tha se në Fushë-Kosovë po vëhen themelet e një aktiviteti prestigjioz, duke shprehur besimin se në një të ardhme të afërt karateistët e rinj do ta përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Kurse, Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës Burim Berisha tha se ky turne është mundësi e mirë të shohim se ku qëndron niveli i karatesë së Kosovës në raport me ato të rajonit.

Klubi i Karatesë “Fushë-Kosova” nderoi me mirënjohje Kryetarin e Komunës së Fushë-Kosovës Burim Berisha si dhe përfaqësuesit e klubeve nga rajoni.

Karateistët të cilët arritën rezultate kulminante në turneun ndërkombëtar “Fushë-Kosova Open 2016” nga organizatorët u pajisën me mirënjohje, medalje dhe kupa./InfoKomuna/