Çiklistët në Gjakovë nderojnë Gjylgjyzare Xharavinën

GjakovëPostuar: 16:12 / 25.04.2016

Nën patronatin e komunës së Gjakovës dhe me organizim të klubit të çiklizmit “Vëllaznimi”, është mbajtur sot memoriali i dytë në çiklizëm malor – Mounten Bike, në nderim të ish-asambleistes gjakovare Gjylgjyzare Xharavina – Zarushi, e cila e pati humbur jetën në mënyrë aksidentale.

Në këtë garë që u zhvillua në parkun rekreativ të Shkugëzit, bëhet e ditur përmes një komunikate se kanë marrë pjesë çiklistë nga Kosova, Shqipëria e Mali i Zi, duke i dhënë kështu memorialit karakterin e garës ndërkombëtare, transmeton Koha.net.

Hapjen zyrtare të kësaj gare, në emër të komunës së Gjakovës, e ka bërë drejtori i Administratës së përgjithshme Armend Vokshi, i cili e ka kujtuar Zarushin si një bashkëpunëtore të vyeshme, një grua dhe nënë të përkushtuar si dhe një femër e një profesioniste për shembull, e cila gjithmonë ka reflektuar mirësi e pozitivitet.

“Humbja aksidentale e Zarushit është një gjë që nuk duhet të ndodhë në Gjakovë”, ka thënë Vokshi, prandaj ka rikujtuar se komuna është duke u angazhuar në maksimum që të krijojë kushte më të mira dhe siguri të plotë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.

Në memorialin e dytë kushtuar asambleistes Gjylgjyzare Xharavina – Zarushi janë zhvilluar gara në katër kategori, fëmijë, hobi – mbi 15 vjeç, senior apo garues elitë si dhe veteran.