"Adem Jashari" evropian

MitrovicëPostuar: 13:55 / 18.02.2017

Nëse kampioni i ri i Kosovës dhe fituesi i Kupës i plotësojnë kriteret e tjera ligjore, atëherë do të lejohen nga UEFA që të marrin pjesë në edicionin e ri të garave evropiane. Kjo pasi shtëpia e futbollit evropian ka vendosur që stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë të mund të jetë nikoqir i ndeshjeve evropiane. Por, paraprakisht duhet të kryhen disa punime në stadiumin olimpik, në mënyrë që të ofrojë kushte për lojë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Këtë e ka konfirmuar Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), sipas së cilës skuadrat kosovare do të lejohen t’i zhvillojnë në “Adem Jashari” ndeshjet e tyre kualifikuese për Ligën e Kampionëve dhe Europa League. “Një delegacion i UEFA-s do të vijë më 1 mars për të inspektuar nga afër gjendjen aktuale, si dhe për të dhënë sugjerimet për përmirësimin e ndonjë të mete”, thuhet në njoftimin e FFK-së. “Tash mbetet që Ministria e Sportit dhe organet tjera relevante të shtetit të Kosovës të angazhohen që stadiumi ‘Adem Jashari’ të përgatitet sa më shpejt për këto gara të klubeve të Kosovës”, theksohet në njoftim.

Duke dhënë dritën jeshile për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare në stadiumin “Adem Jashari”, UEFA ka konsideruar se situata në veri të vendit nuk paraqet kurrfarë rreziku, edhe pse “Zëri” pati raportuar qysh moti se KFOR-i i kishte rekomanduar UEFA-s të mos lejojë të zhvillojë ndeshje në Mitrovicë për shkaqe të sigurisë.

Deri te fillimi i edicionit të ri të garave evropiane është e domosdoshme kryerja e disa punimeve në stadiumin “Adem Jashari”, në të cilin u patën bërë disa investime goxha të mëdha pasi Kosova kishte marrë leje nga FIFA për të zhvilluar ndeshje miqësore ndërkombëtare, me ç’rast ky stadium gjigant i Kosovës kishte ndryshuar pamjen. Mirëpo, me kalimin e kohës stadiumi kishte pësuar dëmtime të tjera pasi i kishte munguar mirëmbajtja adekuate dhe punimet që ishin bërë nuk patën rezultuar kualitative. “Adem Jashari” duhet t’i plotësojë kriteret e stadiumeve të kategorisë së dytë, të cilat mundësojnë zhvillimin e ndeshjeve të klubeve të këtij niveli, por kjo nuk do të thotë se në këtë arenë do të luajë edhe Përfaqësuesja e Kosovës. Kjo pasi për skuadrat kombëtare stadiumet duhet t’i plotësojnë të paktën kushtet e kategorisë së katërt./ZERI/.