Besa fajëson kampionatin vendor për eliminim në Evropë

PejëPostuar: 08:37 / 13.09.2016

Besa Famiglia është skuadra më e suksesshme në Kosovë. Ka fituar dhjetë herë titullin pas luftës. Ndër të tjera ka fituar në tri vitet e fundit titullin në hendboll pa ndonjë problem. Llogaritet favorite e madhe për të fituar sërish.

Por, dominimi në elitën e hendbollit të Kosovës po i shkakton telashe në garat ndërkombëtare. Ekipi pejan të dielën u eliminua në raundin e parë të garës "EHF Cup", shkruan Koha Ditore. Në ndeshjen e dytë të zhvilluar në Pragë të Çekisë, u mposht nga Dukla Praha me tetë gola dallim, 31:23, për çka nuk i mjaftoi epërsia prej katër golave e krijuar në ndeshjen e parë në Pejë (35:31).

Trajneri i Besës, Arben Muqolli, thotë se ekipit të tij po i mungojnë ndeshjet e forta gjatë vitit në kampionatin e Kosovës. Dhe, siç thotë Muqolli, kjo po ndikon në garat ndërkombëtare.

"Nuk po kemi konkurrencë në ligën e Kosovës dhe nuk po kemi ndeshje të forta si të këtij niveli siç ishte kundërshtari ynë i parë në Evropë. Kjo po më pengon shumë. Mbetëm prapa edhe me disa ndeshje miqësore, pasi ato që i kishim planifikuar nuk na u realizuan.

Ky edicion përfundoi dhe na mbetet që me një strategji tjetër të punojmë në sezonin e ri për të qenë më të suksesshëm në garat ndërkombëtare", ka thënë Muqolli.