Gjithçka gati manifestimin kulturo-sportiv “Flakadani i Karadakut 2016”

VitiPostuar: 16:16 / 18.03.2016

Gjithçka është gati për të nisur edicioni i 15-të i manifestimi tradicional kulturor e sportiv “Flakadani i Karadakut 2016”.

Në takimin e fundit të anëtarëve të Këshillit organizativ të këtij manifestimi që u mbajt sot, e ku ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës Sokol Haliti, ky i fundit u njoftua më për së afërmi me rrjedhën e punëve rreth përgatitjeve.

Kaltrina Sylejmani drejtoresh për Kulturë, Rini e Sport në Viti, ka njoftuar për ndryshimet që janë bërë sivjet, ku përmendi hapjen dhe ndezjen e flakadanit që do të ketë ndryshime me ceremonitë e viteve tjera.

Pastaj, ka bërë të ditur se edhe festivali i muzikës popullore ka pësuar ndryshime me qenë se do të ketë pjesëmarrje të ansambleve dhe shoqërive të reja,ku pas çdo mbrëmje do të organizohet edhe tryezë, që është risi krahasuar me festivalet e tjera, ndërkaq aktiviteteve të sportit sivjet i është shtuar edhe turniri në boks.

Kryetari i komunës Sokol Haliti, ka përgëzuar anëtarët e këshillit organizativ për punën e bërë në përgatitjen e aktiviteteve kulturore e sportive, e njëkohësisht ka inkurajuar ata që të vazhdojnë të implementojnë planin e paraparë të aktiviteteve me përgjegjësi dhe suksesshëm.

Manifestimi tradicional kulturor e sportiv “Flakadani i Karadakut 2016”, do të hapet më 21 mars në ora 17;00 në sheshin Nijazi Azemi në Viti, ku edhe do bëhet ndezja e flakadanit, për të vazhduar me pas me Ekspozitën mbarëkombëtare në galerinë e qytetit në Viti.

Edhe sivjet do mbahen garat rajonale të recitatorëve, ora e madhe letrare dhe tri netët e festivalit gjithëkombëtar të Ansambleve dhe Shoqërive artistike nga gjitha trevat shqiptare. Kurse në sport do të ketë aktivitete të garave në futboll, shah, ping pong dhe boks./InfoKomuna/