Kryetari Haliti priti në takim Klubin e Basketbollit "Vitia"

VitiPostuar: 11:29 / 06.10.2016

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti nën shoqërimin e Drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport, Kaltrina Sylejmani ka pritur në takim sot basketbollistet e Klubit të Basketbollit “Vitia”.

Ky klub edhe pse i ri ka arritur shumë shpejt suksese në disiplinën e basketbollit. Gjatë këtij takimi përfaqësuesit e këtij klubi kanë shprehur falënderimet e tyre për Institucionet Komunale të Vitisë të cilët sipas tyre i kanë mbështetur atë që nga themelimi e deri me tani.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti gjatë këtij takimi u shpreh se Komuna e Vitisë është e angazhuar që të mbështes në vazhdimësi rinin dhe klubet sportive në të gjitha disiplinat e sportit.
“Unë si kryetar i kësaj komune në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në vazhdimësi kemi bërë përpjekje që të mbështesim rinin dhe klubet sportive që i kemi në komunën tonë edhe për kundër faktit që kemi një buxhet të kufizuar. Duhet potencuar se jo rastësisht DKRS-ja e Vitisë është cilësuar si më e mira në aktivitetet e saj në Kosovë, andaj sukseset e kësaj drejtorie po ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në sukseset tuaja", u shpreh Kryetari Haliti.

Ndërkaq Nehat Rexhepi, Trajner i KB “VITIA” tha se falë bashkëpunimit të mirë në mes të Komunës së Vitisë me këtë klub ata po shënojnë suksese dhe se tani KB “Vitia” numëron 120 nxënës duke theksuar se ky numër po shkon në vazhdimësi në rritje. Ai bëri me dije se në këtë klub pos lojtarëve nga Vitia po aderojnë edhe lojtarë nga vendet e ndryshme të Kosovës dhe se më një mbështetje edhe më të fortë të komunës së Vitisë, ata do të përfaqësojnë në mënyrë sa më dinjetoze komunën e Vitisë.

Kurse Kaltrina Sylejmani, Drejtoresh për Kulturë, Rini dhe Sport, tha se Komuna e Vitisë, konkretisht DKRS-ja do të vazhdoj të mbështes të gjitha klubet si dhe përveç se do të jetë partnere e saj do të bëjë edhe tifo për ta. Kurse Shasivar Rexhepi, kërkoj nga komuna e Vitisë që të shikohen mundësitë që ky klub të mbështetet edhe më shumë.

Ndërkaq në shenjë falënderimi përfaqësuesit e KB “Vitia” kanë dhuruar kryetarit Haliti një triko të këtij klub me numrin gashtë./InfoKomuna/