1000 fermerë ndihmohen me subvencione në komunën e Fushë Kosovës

Fushë KosovëPostuar: 12:20 / 07.02.2017

Fushë Kosova gjendet shumë afër kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. Madje, mund të thuhet se është ngjitur me Prishtinën, meqë nuk dihet se ku përfundon Fushë Kosova dhe ku fillon Prishtina. Komuna e Fushë Kosovës pas luftës ka shënuar një zhvillim të hovshëm dhe është rritur e zgjeruar shumë në hapësirë, meqë nga një fshat dikur, para viteve të 90’ta, tani është një qytet modern me pallate shumëkatëshe.

Ky qytet ka shumë biznese të llojeve të ndryshme, pra është një qendër e zhvillimit biznesor, që e bën këtë komunë edhe më të rëndësishme. Rreth zhvillimit të kësaj komune, kryetari i Komunës, Burim Berisha, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Portalin Bujqesia.org. Ai ka thënë se Komuna e Fushë Kosovës ka shënuar hapa të rëndësishëm në zhvillimin dhe rritjen e qytetit, në veçanti me rritjen e numrit të madh të bizneseve, ku shumë njerëz kanë gjetur punë. Komuna e Fushë Kosovës për çdo vit ndanë mjete  për të ndihmuar bujqësinë familjare me dhënien e lopëve qumështore, serrave, motokultivatorëve, fidanëve të pemëve, etj. Në vitin 2016 kjo Komunë u ka ndarë rreth 300 mijë euro për këtë qëllim rreth 1000 fermerëve, kurse edhe në vitin 2017 do të ndajë 300 mijë euro.

Intervistoi: Ahmet Pllana

Bujqësia.org: Z. kryetar, sa është zhvilluar komuna e Fushë Kosovës pas luftës, meqë tani Fushë Kosova është rritur shumë, madje aq shumë, kur dihet se dikur ishte fshat, sot është një qytet modern me shumë pallate të reja dhe moderne? Sa banorë i ka komuna e Fushë Kosovës me vendbanimet përreth dhe sa vetë qyteti?

Burim Berisha: Komuna e Fushë Kosovës, aktualisht sipas të dhënave të fundit i ka rreth 34 mijë banorë rezidentë dhe 6 mijë banorë jo rezidentë, faktikisht ka 40 mijë banorë. Mirëpo, sipas vlerësimeve tona , sipas numrit të nxënësve, Komuna e Fushë Kosovës tani i ka diku mbi 50 mijë banorë, kurse vetëm qyteti duhet t’i ketë diku 26 mijë banorë, ndërsa kjo komunë i ka edhe 15 fshatra.

Bujqesia.org: Fushë Kosova ka shënuar një rritje të konsiderueshme dhe një zhvillim të hovshëm pas luftës. Çka mund të thoni rreth kësaj, pasi që Fushë Kosova ka një zhvillim për lakmi?

Burim Berisha: Po. Kjo që thoni është e vërtetë. Fushë Kosova ka shënuar një rritje dhe një zhvillim të hovshëm pas luftës. Ne gjithmonë kemi pasur prioritet që ta zhvillojmë komunën në të gjitha drejtimet, në infrastrukturë dhe në të tjera. Mirëpo, asnjëherë Komuna jonë nuk i ka harruar qytetarët e vet dhe është interesuar që përmes projekteve t’i ndihmojmë ata me atë që ka pasur mundësi Komuna. Për ta zhvilluar komunën tonë, ne kemi përdorur disa politika shumë liberale të tërheqjes së investimeve dhe tërheqjes së njerëzve për të hapur bizneset e tyre këtu në Fushë Kosovë dhe për të jetuar këtu, që përmes tyre të zhvillojmë komunën.

Njerëzit e kanë pëlqyer mënyrën e zhvillimit të komunës sonë dhe kanë ardhur për të jetuar këtu prej të gjitha viseve të Kosovës, por edhe jashtë Kosovës. (ka nga Medvegja, Presheva, Bujanoci, etj.) Ta them të drejtën, zhvillimi i Fushë Kosovës ka qenë jashtëzakonisht i bujshëm, i hovshëm dhe ne jemi shumë të kënaqur që njerëzit e pëlqejnë dhe e preferojnë Fushë Kosovën për të ardhur për të jetuar këtu. Thënë të drejtën, këtu ka edhe mundësi pune pak më shumë se sa në komunat tjera, por edhe për të jetuar më mirë se sa në komunat tjera, meqë është qendër dhe ka infrastrukturë shumë të mirë. Pastaj ka edhe disa përparësi tjera, siç janë Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, pastaj Hekurudhat e Kosovës, terminalet doganore, numri i madh i bizneseve në qytetin e Fushë Kosovës, por gjithandej edhe në vendbanimet tjera. Pastaj kryeqyteti Prishtina është shumë afër me Fushë Kosovën, gjithmonë zonat e afërta të qytetit kanë përparësi në zhvillim, etj. Të gjitha këto e bëjnë Fushë Kosovën edhe më të rëndësishme dhe më të frekuentuar. Ne si Komunë e Fushë Kosovës do të angazhohemi dhe do të vazhdojmë edhe më tutje që ky trend i zhvillimit të komunës sonë të shkojë më përpara.

Bujqesia.org: Në vitin 2016 Komuna e Fushë Kosovës ku ka investuar më së shumti për zhvillimin e saj?

Burim Berisha: Në vitin 2016 Komuna e Fushë Kosovës ka pasur shumë investime. Kemi investuar dhe punuar shumë në sistemin energjetik të 110 kilovoltshit, pastaj në sistemin e ujit të pijes, ku do të jemi pjesë e sistemit të përgjithshëm të ujit të pijes në Shkabaj. Pastaj, kemi investuar dhe kemi punuar shumë në infrastrukturë, pastaj në ujërat e zeza dhe segmente tjera të zhvillimit të infrastrukturës, sikurse asfaltimi i rrugëve, ndriçimi i rrugëve, etj. Këto janë sisteme që po mbyllen, që po përfundojnë. Jemi duke punuar në përfundimin e shumë punëve të rëndësishme, sikurse janë energjia, uji i pijes, ujërat e zeza dhe sistemet përcjellëse, siç janë infrastruktura e rrugëve, shkollave, ambulancave, etj.

Bujqesia.org: Z. kryetar, Komuna e Juaj i ka ndihmuar shumë qytetarët e vet, sidomos fermerët, me dhënien e lopëve qumështore, serrave, motokultivatorëve, fidaneve, etj. Jeni Komuna më e mirë në Kosovë që keni ndihmuar qytetarët e komunës suaj. Sa ka ndihmuar Komuna e juaj në këtë drejtim?

Burim Berisha: Një prej përparësive, prioriteteve dhe interesimeve tona të rëndësishme për të ndihmuar qytetarët tanë përmes projekteve, ka qenë edhe impenjimi në fushën e bujqësisë, agrobiznesit dhe të ngjashme. Përafërsisht për çdo vit Komuna jonë ndanë mbi 300 mijë euro investime, plus participimi i fermerëve. Ka llojllojshmëri në zhvillimin e bujqësisë.

Ne kemi zhvilluar bujqësinë familjare apo ekonomitë familjare, sepse kemi menduar që ajo është pjesa qendrore dhe kryesore e zhvillimit të familjes, fillimisht familjes, pastaj njëherit edhe e shoqërisë. Nevojat e njerëzve janë të tilla që secili ka nevojë për një mbështetje në këtë pjesë, ata që jetojnë në pjesën rurale. Për zhvillimet intensive të bujqësisë është një proces tjetër, i cili donë investime të mëdha dhe donë forma tjera të zhvillimit.

Bujqesia.org: A do të vazhdoni edhe në vitin 2017 me këto projekte të ndihmave për bujqit dhe qytetarët e interesuar për të aplikuar në marrjen e këtyre ndihmave, qoftë me lopë qumështore, me serra, me motokultivatorë dhe mjete ndihmëse bujqësore, me fidane, etj.?

Burim Berisha: Po. Edhe këtë vit do të vazhdojmë me ndihma të njëjta, i njëjti trend do të jetë, ne do të vazhdojmë me subvencione. Ne do t’i përkrahim diku mbi 1000 fermerë brenda vitit. Edhe në vitin 2017 shuma e investimeve në ndihmë bujqësisë familjare prapë do të jetë diku rreth 300 mijë euro. Pastaj ka edhe donacione, këto janë vetëm nga të hyrat tona, pastaj do të ketë edhe donacione të ndryshme si gjithmonë që kemi. Si një Komunë e vogël që jemi, kjo është një shumë e konsiderueshme për agro-biznesin.

Bujqesia.org: Z. kryetar, Sa i përket ndotjes së mjedisit, si qëndron Fushë Kosova në këtë aspekt, pasi që termocentralet dhe mihjet sipërfaqësorë të qymyrit të Obiliqit janë afër? A ka ndotje të mjedisit kjo komunë dhe a ka projekte për përmirësimin e gjendjes?

Burim Berisha: Po. Komuna jonë është pjesë e ndotjeve të përgjithshme që ndodhin, qoftë edhe nga termocentralet, qoftë edhe nga format tjera të ndotjes që tani më të gjithë po i dimë, sepse është temë aktuale, sikurse nga frekuentimi i automjeteve të shumta, etj. Momentalisht nuk kemi ndonjë zgjidhje efektive për këtë çështje, sa i përket kësaj, sepse zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon investime, kërkon sistem shumëvjeçar, sikurse pos tjerave, edhe heqja e përdorimit të qymyrit nëpër shtëpi, ngrohja qendrore ndryshe, pastaj edhe pjesa e trafikut e të ngjashme e të ngjajshme. Kjo donë të thotë se duhen investime të tjera. Ne si komuna jemi pak të fuqishëm për të bërë më shumë në këtë drejtim. Eventualisht mund të bëjmë në përmirësimin e ambientit me pyllëzime, me mbjelljen e drunjve dekorativ, me gjëra të ngjashme, por diçka më serioze nuk mund të bëjmë.

Bujqesia.org: Megjithatë, Komuna mbase ka pasur dhe duhet të ketë ndonjë projekt edhe në mbrojtjen e mjedisit?

Burim Berisha:  Absolutisht po. Në këtë vit e kemi një projekt me të cilin kemi paraparë të mbjellim diku edhe 6000 drunj dekorativ. Pastaj, do të kemi edhe 25 mijë kacie që do të mbillen dhe një pjesë të pishave. Projekti për mbjelljen e drunjve dekorativ është e sigurt dhe do të realizohet, sepse i kemi mjetet. Mbjellja e drunjve dekorativ do të bëhet në qytetin Fushë Kosovë dhe në vendbanime tjera të komunës, nëpër fshatra, sepse ne nuk bëjmë shumë dallime mes qytetit dhe fshatrave. Ne e kemi marrë parasysh çdoherë atë pjesën e idesë së barabarësisë me të cilën kemi relativizuar ndryshimet e zhvillimit katund-qytet, duke patur synim që edhe katundi të jetë si qytet, sikurse emërtimi dhe ndriçimi i rrugëve, ujësjellësi, kanalizimi, etj. Prandaj, kështu edhe te drunjtë dekorativ, kemi menduar që të mbjellim edhe në fshatrat e komunës sonë.

Bujqesia.org: Si qëndron çështje me furnizim të ujit të pijshëm, qoftë në qytetin e Fushë Kosovës, qoftë në vendbanimet tjera që i takojnë komunës suaj?

Burim Berisha: Sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm për banorët, ne në komunën tonë nuk qëndrojmë keq. Shumë shpejt komuna jonë do të kyçet në sistemin e fabrikës së re të ujit në Shkabaj, ngase edhe ne jemi pjesë e saj. Kemi edhe rezervat e ujit të pijshëm të Kuzminit dhe të Vragolisë, por kemi edhe rreth 40 puse alternative përmes të cilëve furnizohen banorët me ujë të pijshëm. Me këtë do të përmirësohet shumë gjendja e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e komunës sonë.

Bujqesia.org: Komuna e juaj i ka kushtuar një kujdes të veçantë edhe ndriçimit të rrugëve dhe ka bërë ndriçimin në Fushë Kosovë dhe në shumë fshatra. Si qëndron çështja në këtë drejtim?

Burim Berisha: Në vitin 2016 thuaja se gati e kemi përfunduar ndriçimin e rrugëve, në Fushë Kosovë pjesën dërmuese të rrugëve të qytetit e kemi përfunduar ndriçimin e rrugëve, por edhe në vendbanimet tjera të komunës sonë. Këtë vit do të ketë edhe disa investime të vogla për ndriçimin e rrugëve nëpër qytet, ndërsa do të shkojmë edhe me ndriçimin e rrugëve në të gjitha fshatrat e komunës sonë. Disa fshatra janë ndriçuar, por këtë vit shkojmë me ndriçim thuaja se total.

Intervistoi: Ahmet Pllana, Bujqesia.org

/InfoKomuna/