Suma: Të jesh i pavarur përparësi, iu përgjigjesh vetëm qytetarëve
Hani i Elezit është komuna e vetme në Kosovë që udhëhiqet nga një kandidat i pavarur. Rufki Suma, ish-komandant i UÇK-së, i cili e mori besimin e qytetarëve, pa pasur një parti prapa, thotë se kjo ka disa përparësi, por e pranon se edhe mund të diskriminohesh në buxhet nga pushteti qendror.
"Për shumë çështje është më mirë të veprosh si i pavarur për shkak se ke parasysh vetëm vullnetin dhe kërkesat e qytetarëve, nuk ke ndonjë bagazh partiak ose ndonjë obligim ndaj partive politike... Mirëpo, Qeveria i merr për bazë më shumë komunat ku janë partitë e tyre në udhëheqje", thotë kryetari i Hanit të Elezit, në një intervistë për Ekonomia Online.
Qyteza industriale në kufi me Maqedoninë, e cila së bashku me fshatrat ka rreth 10 mijë banorë, është me fat që e ka fabrikën e cementit "Sharrcem", pasi këtu punësohen një numër i konsiderueshëm i banorëve të komunës. Madje, kjo kompani financon edhe projekte të tjera, ku përfitues është komuniteti, siç është Projekti LAB (Laboratori për Aktivitete të Biznesit).
Përmes këtij projekti, në vitin 2014 janë dhënë 130 mijë euro, ndërsa në vitin 2015 edhe 240 mijë euro të tjera, tregon Suma.
Kompania e privatizuar nga grekët, në fillim kishte hasur në kundërshtim, shkaku i ndotjes së madhe. Por, ky problem tashmë pothuajse është tejkaluar. Sharrcem është kompania e parë në Republikën e Kosovës që e ka siguruar lejen e integruar mjedisor, duke arritur një standard të lartë për mbrojtjen e parametrave mjedisorë.
Hani i Elezit është, ndoshta, e vetmja komunë në vend që nuk ka çerdhe fëmijësh dhe as stacion të autobusëve. Suma arsyetohet se këto kanë mbetur peng i disa mosmarrëveshjeve pronësore me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Komuna ka, po ashtu, probleme me furnizim me ujë të pijes e me mbledhjen e mbeturinave. "Jo pse skemi pasur mundësi ne, apo dëshirë, por për shkak të kompetencave të përziera me nivelin qendror, ky problem ka mbetur pa u zgjidhur. Hani i Elezi pati themeluar një kompani për menaxhimin e ujit dhe mbeturinave, por nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik u kualifikua si vendim anti-ligjor. Kështu që, jemi detyruar ta shfuqizojmë atë vendim dhe kemi marrë vendim tjetër që të kyçemi në 'Bifurkacionin' që është kompani regjionale dhe tani jemi në bisedime që të kyçemi edhe në kompaninë e pastrimit 'Pastërtia'", shpjegon Rufki Suma.
Hani i Elezit së shpejti do të lidhet me autostradë me kryeqytetin. Por, kjo nuk e ngazëllen shumë Sumën. "Autostrada është në interes shtetëror dhe kombëtar, nuk është shumë në interes lokal. Lokalet që ishin përreth rrugës mund të kenë pasoja pasi që dalin në dorën e dytë", thotë ai.
INTERVISTA E PLOTË:
EO: Janë bërë më shumë se dy vjet që e keni marrë mandatin. Cilat do t'i numëronit ju vetë si të arritura kryesore gjatë kësaj kohe dhe cilat si sfida që mbetet të realizohen?
Suma: Gjatë këtyre dy viteve të fundit kemi pasur projekte të cilat nuk kanë qenë të planifikuara, siç e kemi pasur projektin e Lagjes së Re për shkak të vërshimeve që kanë ndodhur në atë lagje. Ndër projektet kryesore që i kemi bërë edhe me rishikimin e buxhetit ka qenë ajo lagje. Në vitin 2015 kemi bartur mjetet nga projekte të tjera dhe i kemi sistemuar në projektin e rregullimit të përroskës në Lagjen e Re dhe vetëm faza e parë kushton 218 mijë euro.
Po ashtu edhe në vitin 2016 parashihet të vazhdohet faza e dytë e këtij projekti që do të marrë një shumë prej 150 mijë eurosh. Gjithashtu një ndër projektet e rëndësishme ka qenë edhe aneksi i shkollës fillore Ilaz Thaçi në Han të Elezit, që është gati në përfundim. Por kemi pasur edhe projekte të tjera si rregullimi i rrugicave në qytet dhe fshatrave përreth, me kubëza betoni. Është bërë rregullimi i kanalizimeve aty ku ka pasur defekte, mirëpo sfidë në këto dy vite, si edhe më parë, ka qenë uji dhe mbeturinat.
EO: Jeni i vetmi kandidat i pavarur në gjithë Kosovën që keni fituar një Komunë. Nuk keni bërë pothuajse fare fushatë dhe nuk keni premtuar asgjë. Por, qytetarët ua kanë dhënë besimin? A është më vështirë të udhëhiqni një komunë, duke mos e pasur "prapa" një parti? A diskriminoheni nga niveli qendror, në investime, buxhet?
Suma: Për shumë çështje është më mirë të veprosh si i pavarur për shkak se ke parasysh vetëm vullnetin dhe kërkesat e qytetarëve, nuk ke ndonjë bagazh partiak ose ndonjë obligim ndaj partive politike. Ndërsa në aspektin tjetër mund të ketë ndonjë vështirësi. Përkundër se jam i pavarur, kam pasur përkrahje nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo Qeveria i merr për bazë më shumë komunat ku janë partitë e tyre në udhëheqje. Pse ne jemi të pavarur nuk kemi pasur ndonjë problem për shkak se ne kemi pasur donacione, si nga Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Financave dhe nga ministritë tjera. Por, siç e thashë nëse je pjesë përbërëse e partive, atëherë e marrin për bazë më tepër. Kemi pasur përkrahje të madhe edhe nga donatorët ndërkombëtarë. Në vitin 2015 u realizua projekti i fasadimit të objektit të Komunës, ky projekt ka kushtuar 200 mijë euro në kuadër të programit "Kosova e bukur" dhe nga ky projekt ka pasur punësim sezonal; më tepër se 50 punëtorë kanë punuar rreth 5 muaj, me ç'rast vetëm për fuqi punëtore janë dhënë 61 mijë euro.
EO: Ditë më parë, banorët e fshatit Paldenicë kanë protestuar, duke penguar punimet për ndërtimin e autostradës, me arsyetimin se nuk ishin paralajmëruar për punimet nga kompania "Bechtel & Enka"... A është tejkaluar tanimë ky problem? Dhe, çka do të thotë lidhja me autostradë me kryeqytetin (më vonë edhe me Shkupin) për një qytet të vogël si Hani i Elezit.
Suma: Reagimi ka qenë prej tyre edhe prej komunës, sepse askush nuk ka të drejtë të punojë në territorin e komunës pa marrë leje aty, pavarësisht që është një projekt madhor, kombëtar. Megjithatë kompania në fjalë është dashur që në secilin territor të komunës të marrë pëlqim për të vazhduar punimet. Ata kanë punuar pa pëlqim, kanë pasur reagimin e qytetarëve, kanë dalë edhe Drejtoria e Urbanizmit. Pastaj menaxheri i kompanisë ka kërkuar falje pse është punuar. Mirëpo është arsyetuar se në komunat e tjera nuk kanë kërkuar askund pëlqim. Kam biseduar me banorë dhe me përgjegjësit e kompanisë dhe janë dakorduar që kompania do t'i kryejë punimet në atë zonë dhe kur të bëhet projekti i detajuar, nëse atë pjesë do ta kapë projekti do të kompensohen sipas procedurave me ligjet në fuqi. Por, nëse projekti nuk kalon nga ajo pjesë janë dakorduar që kompania "Bechtel & Enka" ti kompensojë vetëm ato pjesë ku kanë shkaktuar dëme.
Autostrada është në interes shtetëror dhe kombëtar, nuk është shumë në interes lokal. Lokalet që ishin përreth rrugës mund të kenë pasoja, pasi që dalin në dorën e dytë.
EO: Keni deklaruar disa herë se është fat për Hanin e Elezit që e keni "Sharr Cemin", pasi kjo kompani punëson një numër të madh punëtorësh kryesisht nga kjo komunë. Në fillim ka pasur ankesa për ndotjen e madhe që vjen nga kjo fabrikë. A janë tejkaluar tërësisht problemet me ndotje?
Suma: Realisht nuk është ajo ndotja që ka qenë më herët. Kemi pasur reagime, protesta dhe shkresa me shkrim drejtuar institucioneve në nivelin qendror dhe kompanisë. Ndërsa tash menaxhmenti i kompanisë ka vendosur filtra dhe tani nuk e kemi atë ndotje që e kemi pasur më herët. Por, ka ende ndotje, nuk është larguar tërësisht.
Kjo kompani është e përfshirë edhe në projekte të tjera, ku përfitues është komuniteti, siç është Projekti LAB (Laboratori për Aktivitete të Biznesit). A mund të na jepni më shumë detaje rreth këtij projekti.
Projekti LAB ka për qëllim ndihmimin e komunitetit të Hanit të Elezit. Përmes këtij projekti, në vitin 2014 janë ndihmuar diku 19 qytetarë me projekte të ndryshme, si në serra, mbjelljen e mjedrave, dredhëzave, projekt për kultivimin e kërpudhave. Kurse, në vitin 2015 kanë përfituar rreth 20 qytetarë, kryesisht me të njëjtat produkte që janë dhënë edhe më herët, vetëmse ka ndryshuar vlera e mjeteve. Në vitin 2014 janë dhënë 130 mijë euro, ndërsa në vitin 2015 janë dhënë 240 mijë euro nga kjo kompani ("Sharrcem"). Qytetarët kanë përfituar shumë. Në vitin 2015, pos kësaj ka realizuar dhe një projekt në fshatin Goranc, rreth nxehjes qendrore. "Sharrcem" ka ndihmuar dhe do të ndihmojë edhe në të ardhmen.
EO: Kur jemi te problemi me ndotje, a është pastruar tërësisht lumi Lepenci nga mbeturinat e azbestit? Kur përfundon tërësisht projekti?
Suma: Sa i përket këtij projekti ne vazhdimisht kemi vërejtjet tona që i kemi dhënë në nivelin qendror. Qytetarët kanë kërkuar vazhdimisht që të bëhet pastrimi i brigjeve të lumit "Lepenc" nga mbetjet e azbestit. Ministria e Planifikimit Hapësinor ka filluar realizimin e këtij projekti, qysh në vitin 2014, dhe ky projekt, sa kemi ne informata, ka vlerën 1 milion e 200 mijë euro. Mirëpo kompania "SKP" Sh.P.K nga Prizreni, e cila është përgjegjëse e këtij projekti, nuk e ka e ka realizuar projektin, ashtu siç ka qenë me kontratë, për shkak se ende kemi shumë mbetje të azbestit përgjatë lumit "Lepenc". Me këtë rast kemi dhe dëmtim të rrugëve. Sipas projektit është dashur të largohen mbetjet e azbestit dhe të riparohen ato dëme që shkaktohen gjatë punimeve. Jo vetëm që nuk e ka realizuar projektin në tërësi, por vetëm çka na i ka rrezikuar rrugët e tjera. Në shumë vende e ka zbuluar azbestin e ka qitë në sipërfaqe dhe ka mbetur azbesti; por ajo çka është më e keqe e ka dëmtuar stadiumin e futbollit që është në Han të Elezit. Ka qenë një stadium që ka kushtuar më shumë se 30 mijë euro i realizuar në bashkëpunim me KFOR-in grek, në atë kohë. Por kjo kompani, në emër të pastrimit të azbestit vetëm çka ia ka marrë zhavorrin stadiumit dhe e ka shfrytëzuar për nevoja të veta. Dhe tani fusha është e dëmtuar.
Gjatë vitit 2015 gati se fare nuk ka punuar kjo kompani. Kemi kërkuar disa herë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të ndërmarrë diçka për shkak se gjendja është shumë e keqe, mirëpo kompania është arsyetuar me atë se ende s'i ka marrë mjetet nga niveli qendror. Kemi menduar të bëjmë padi në gjyq, mirëpo ata po arsyetohen se ende kanë afat për kryerjen e punimeve.
EO: Komuna e Hanit të Elezit, ende ka probleme me ujë dhe me mbeturina. Çka po bëhet që të zgjidhet kjo çështje?
Suma: Jo pse skemi pasur mundësi ne, apo dëshirë, por për shkak të kompetencave të përziera me nivelin qendror, ky problem ka mbetur pa u zgjidhur. Hani Elezit pati themeluar një kompani për menaxhimin e ujit dhe mbeturinave, por nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe nga Qeveria në përgjithësi u kualifikua si vendim anti-ligjor. Kështu që, jemi detyruar ta shfuqizojmë atë vendim dhe kemi marrë vendim tjetër që të kyçemi në "Bifurkacionin" që është kompani regjionale dhe tani jemi në bisedime që të kyçemi edhe në kompaninë e pastrimit. Mirëpo problemi qëndron aty se përkundër marrëveshjeve që i kemi nënshkruar me kompaninë "Bifurkacioni" ka një vit që ende nuk është ndërmarrë diçka konkrete nga kjo kompani. Gjithashtu, sa i përket mbeturinave, patëm marrë një vendim që ta themelojnë një kompani lokale publike për shkak se ligji e lejon, mirëpo edhe përkundër kërkesës tonë që e kemi dërguar në Qeveri nga janari i vitit 2015 ende nuk kemi përgjigje se lejohet. Kohëve të fundit jemi duke biseduar në këtë drejtim me kompaninë regjionale "Pastërtia", në mënyrë që edhe çështja e mbeturinave të kalojë në nivel regjional.
EO: Hani i Elezit është, ndoshta, e vetmja komunë që nuk ka çerdhe fëmijësh dhe as stacion të autobusëve. Nuk ka nevojë për to, apo nuk mjafton buxheti?
Suma: Realisht ka nevojë. Ne kemi strategjinë zhvillimore e cila është miratuar nga Kuvendi Komunal, mirëpo këtu i kemi disa probleme të tjera, disa kontekste pronësore, sepse me Strategjinë Zhvillimore të komunës, Stacioni i Autobusëve dhe Çerdhja e Fëmijëve është paraparë të ndërtohet në disa prona të ish-Armatës Jugosllave, për çka aktualisht jemi në kontest gjyqësore me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP). Kjo, pasi AKP-ja, këtë pronë ia ka bartur një kompanie serbe, e cila ka qenë para luftës dhe i ka menaxhuar deponitë e derivateve në Han të Elezit. Ne nuk jemi pajtuar me atë dhe kemi thënë se askush nuk ka të drejtë, dhe assesi nuk mundet dikush tjetër të vijë dhe të shfrytëzojë pronat e ish-Armatës, sepse ato janë prona të shtetit të Kosovës dhe do të mbesin të tilla edhe në të ardhmen. Nëse eventualisht nuk bëhet zgjidhje për këto prona, do të jemi të detyruar që të gjejmë ndonjë parcelë; sidomos për një çerdhe e fëmijëve.
Por, edhe sa i përket çerdhes së fëmijëve lirisht mund të themi nuk është ndonjë pengesë e madhe, sepse një vit ka ekzistuar një çerdhe private, por është mbyllur për shkak se nuk ka pasur fëmijë të mjaftueshëm. Megjithatë ne do të bëjmë një zgjidhje dhe do ta ndërtojmë çerdhen, sikurse dhe stacionin e autobusëve.
(Intervistoi: Resmije Ballazhi)