U dha premiera e shfaqjes "Njeriu, kafsha dhe virtyti"
Në sallën e mbushur përplot të teatrit Adriana Abdullahu të Ferizajt, mbrëmë u dha premiera e shfaqjes "Njeriu, kafsha dhe virtyti", një dramë e nobelistit italian Luigji Pirandello.
"Drama psikologjike e Pirandellos flet për marrëdhënie ndërmjet njerëzve në një shoqëri me krizë morali, ku spikatet hipokrizia dhe veprimet me kut të dyfishtë, gjë që çojnë herë në momente kulmore serioziteti, herë në momente komike. Megjithë kohëzgjatjen prej gati dy orësh, shfaqja u ndoq me kureshtje nga shikuesit ferizajas.
Regjisori Agim Selimi u shpreh me tone pozitive: Një shfaqje shumë e ralizuar gjë që e kam pritur si të tillë. Mendoj se teatri i Ferizajt me këtë shfaqje dëshmoi nivelin e Teatrit Kombëtar. Regjisori Kushtrim Bekteshi, ka krijuar një trupë homogjene aktorësh dhe ka arritur të nxjerrë karaktere mirë të realizuara skenike, prandaj shumica e aktorëve realizuan role që do të mbahen mend. Shfaqja pati harmoni, dinamikë dhe rrjedhë të tillë që u ndoq me interesim dhe arriti ta përçojë porosinë e vet, tha Selimi.
Barrë kryesore të aktrimi në shfaqjen Njeriu, kafsha dhe virtyti e mbajtën Shpëtim Selmani dhe Mevlan Saraqi, por u dalluan me interpretime të arrira edhe Dardana Mehmeti, Jajush Ramadani, Milot Salihu, Sherif Bega, Edona Berisha-Bekteshi, Ali Krasniqi, Arben Marevci dhe Ekrem Jakupi.
Kjo ishte shfaqja e parë e teatrit Adriana Abdullahu për sivjet, ndërsa deri në fund të vitit pritet inskenimi edhe i tri shfaqjeve të tjera. /InfoKomuna/