Në Fushë Kosovë hapet ekspozita “Kosova në Harta”

Fushë KosovëPostuar: 18:23 / 07.12.2023

Në ambientet e Gjimnazit “Hivzi Sulejmani” në Fushë-Kosovë, në prani të një numri të madh të personaliteteve nga kultura, arti dhe skena politike, është hapur ekspozita “KOSOVA NË HARTA” e autorit prof. Jusuf Osmani e cila do të jetë e hapur deri më 31 dhjetor 2023.

Kjo ekspozitë është inauguruar nga kryetari i Komunës së Fushë-Kosovë, Burim Berisha, i cili ka nënvizuar vlerat historike të dokumentimit dhe që për komunën tonë paraqet një nga ngjarjet kulturore më të veçanta të këtij viti.

Pjesëmarrësve iu drejtua edhe ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili e vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë ekspozitë dhe ka përgëzuar autorin dhe komunën për rezultatet dhe organizimin e këtij aktiviteti.

Autori i Ekspozitës “KOSOVA NË HARTA”, prof. dr. Jusuf Osmani, falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e ekspozitës duke theksuar që janë paraqitur 90 harta gjeografike, etnografike, historike, politike, demografike, minerare, infrastrukturore, urbanistike për periudhën nga ilirishtja deri më ditët e sotme.

Hartat e prezantuara në këtë ekspozitë janë në gjuhën latine, turko-osmane, gjermane, frënge, angleze, serbe, shqipe dhe janë dëshmi autentike e vazhdimësisë së popullsisë: ilire-arbërore-shqiptare në Evropën Juglindore.

Hartat e kësaj ekspozite janë hulumtuar dhe sjellë nga Arkivi Nacional i Londrës, Arkivi Shtetëror i Kryeministrisë së Turqisë në Stamboll, Arkivi Kombëtar i Vjenës, Arkivi i Jugosllavisë në Beograd etj., ndërsa disa prej tyre ruhen edhe në Arkivin e Kosovës në Prishtinë.

Hartat janë klasifikuar dhe paraqitur sipas periudhave historike në mënyrë kronologjike, kur u krijuan dhe bazuar në përmbajtjen e tyre.

Në shtojcë janë paraqitur edhe harta e dokumente që flasin për komunën e Fushë-Kosovës.