Komuna e Kaçanikut synon që këtë vit ta themelojë Teatrin e Qytetit
Kaçaniku është njëra prej komunave më të vjetra në Kosovë, i cili ka histori atdhetare dhe patriotike por që asnjëherë nuk ka pasur Teatër të Qyteti edhe pse ky qytet ka nxjerrë shumë artistë të kësaj fushe.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, për KALLXO.com ka thënë se brenda këtij viti po mendohet të themelohet Teatri i Qytetit i cili do të jetë me lokacion në Shtëpinë e Kulturës.
“Besojmë që themelimi të kryhet brenda këtij viti edhe pse ajo varet nga përgjigja që do të marrim nga MKRS-ja, ndërsa lokacioni do të jetë në Shtëpinë e Kulturës ku ekzistojnë kushtet për punë normale të teatrit”, tha Ilazi.
Sipas Ilazit, kërkesa për themelit të Teatrit të Qytetit ka ardhur nga një grup i aktorëve të rinj të Kaçanikut.
“Kërkesa për themelimin e teatrit të qytetit ka ardhur nga një grup I aktorëve të rinj të Kaçanikut dhe është përkrahur edhe nga qytetarët, prandaj e kemi pa të arsyeshme që ta iniciojmë themelimin”, deklaroi ai.
Ilazi tregoi se Teatri i Qytetit do ta ketë statusin publik dhe sipas tij kjo shtëpi teatrale do t’i përmbushë kërkesat e artistëve dhe qytetarëve të Kaçanikut.
Ben Apolloni, Bekim Guri, Armend Ballazhi, Osman Isa, Lulzim Rexha, Lind Berisha, Dituri Neziraj dhe Qëndresa Loki, janë disa nga grupi i artistëve dhe studentëve të artit dramatik nga Kaçaniku dhe rrethina, që më 5 shkurt 2018 kishin iniciuar një kërkesë në Kuvendin Komunal të Kaçanikut për themelimin e Teatrit të Qytetit.
“ Kërkesën e kemi bërë komfor Ligjit për Teatrot ku thuhet se ‘Teatrot e qyteteve themelohen me vendim të Asamblesë komunale. Komuna nuk mund të themeloj më shumë se një teatër të qytetit me status publik”, thuhet në kërkesën e iniciuare nga ky grup i artistëve.
Sipas kërkesës që ky grup i artistëve u ka dorëzuar Kuvendit Komunal të Kaçanikut thuhet se themelimi i Teatrit të Qytetit do të ndikonte në ngjalljen e jetës kulturore në këtë komunë.
“ Kjo kërkesë dhe këtë propozim duam ta bëjmë pasi që konsiderojmë që Komuna jonë ka nevojë për këtë institucion, që konsiderohet shtylla kulturore e një vendi dhe pasi që ka kuadro të mjaftueshëm për funksionimin e këtij institucioni që do të ndikonte në ngjalljen e jetës kulturore në komunën tonë”, thuhet në kërkesën e iniciuar nga ky grup i artistëve.