Legjendat për Tyrben e rrafshuar
Kur nuk e di lokacionin e saktë të ndonjë objekti a vendi në një qytet, shpëtimi kërkohet te taksistët. Në Kaçanik ata rrinë krejt në hyrje të qytetit, poshtë kalasë identifikuese të qytezës. Dhe kjo e bën më të lehtë krejt procesin.
Disa prej tyre mblidhen për tu përgjigjur në pyetjen për vendin ku ndodhet Tyrbja e Musa Kesexhisë, shkruan sot Koha Ditore. Përderisa Kesexhija njihet si hero serb në folklor, ky monument njihet edhe si Teqeja e Mehmet Kyqyk Efendisë.
Është krejt në fund të qytet, thotë njëri prej tyre. Po është rrëzu ajo, nuk shihet gjë, shton tjetri.
Nuk është rrëzu jo, Zoti e ruan, ngutet tjetri të flasë, derisa që të tre bëjnë me dorë në drejtim të vendit ku gjendej Tyrbja.
Si objekt ajo njëmend është rrënuar, madje qe një kohë të gjatë. Menjëherë pas luftës, dikush që nuk duron besimin në tyrbe, ishte kujdesur që ta rrënonte. Banorët përreth e kanë parë teksa rrënohej. Nuk kishin ndërhyrë për ta ndalur. Por një pjesë e familjes është për ruajtjen dhe rikthimin e tyrbes.
Sidoqoftë, ajo ruhet në kujtesën e kaçanikasve. Bashkë me legjendën e fluturimit pa kokë të një njeriu përmbi Kaçanik. Ruhen të freskëta kujtimet e para luftës së fundit në Kosovë, me gjithë atmosferën që krijohej andej, e me vizitorët e shumtë që kishte.