Në Kamenicë mbahet ekspozita “Tuneli i fundit” në kuadër të fushatës “16 Ditë të aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore”
“27 Histori, 27 emra të grave”, ishin pjesë e Ekspozitës “Tuneli i fundit” e cila u mbajt në kuadër të fushatës “16 Ditë të aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore” dhe që kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit ndaj dhunës në baza gjinore dhe përkujtimin e viktimave të femicidit në Kosovë.
Sadete Tërnava-Osmani, zyrtare vendore e programit pranë Qendrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan duke falënderuar Kryetarin Rahimaj për bashkëpunimin tha se kanë vendosur që këtë ekspozitë ta shfaqin në Kamenicë pikërisht për shkak të këtij bashkëpunimi të mirë që kanë pasur deri tani.
“Kjo ekspozitë është pjesë e Fushatës 16 Ditë të aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore” , ku edhe Kosova nuk privohet nga situata nëpër të cilën kalojnë njerëzit e dhunës në familje. Pothuajse kemi raportime çdo ditë të dhunës në bazë gjinore, dhunës në familje, dhunës seksuale. Andaj të angazhohemi që të vetëdijesojmë të tjerët pasi që një tregim i vetëm na mundëson që të ndërrojmë përcepsionin që e kemi për dhunën në familje, e që ende tek ne është tabu”, ka thënë ajo.
Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës Burbuqe Leka, tha se është e rëndësishme që dhuna të raportohet.
“Dhuna në bazë gjinore vazhdon të mbetet sfidë dhe problem jo vetëm në shoqërinë tonë por në çdo vend. Është e rëndësishme që dhuna të mos mbetet e heshtur, por të raportohet, dhe që shteti përmes mekanizmave ligjor të ndërmarr hapa”, theksoi ajo.
Përfaqësuesja e OJQ ‘SIT’ Njomza Berisha, tha se kjo organizatë punon më shumë me vetëdijesimin e djemve dhe burrave, pasi që sipas saj shumica e vrasësve të grave janë gjinia mashkullore.
“Jam e lumtur që kjo ekspozitë ka gjetur hapësirë në Kamenicë. Kisha pas dëshirë që të ftoni më shumë djem dhe burra që ta shohin ekspozitën, pasi që edhe ne si organizatë punojmë me djem dhe burra për shkak që tek shumica e këtyre storieve vrasës janë gjinia mashkullore. Pra femicidi si term është i frikshëm, por gratë ballafaqohen me të. Ne e kemi filluar këtë që ta ngrisim vetëdijen që vrasja e grave bëhet vetëm për shkak të gjinisë së tyre. Andaj 27 histori, 27 emra të grave janë viktima të femicidit që na tregojnë që ne duhet të ndërmarrim hapa dhe të reagojmë”, shtoi ajo.
Fushata ka filluar më 25 Nëntor dhe vazhdon deri më 10 Dhjetor, ku slogani i saj është: “SOT DHE ÇDO DITË TJETËR”.