Filluan aktivitetet e “Javës së Kulturës” në Klinë
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Klinës, ka hapur sot me aktivitete fillimin e shënimit të “Javës së Kulturës”, ku është mbajtur ekspozitë kolektive e studentëve të Fakultetit të Arteve “Hasan Prishtina”, në hollin e Galerisë së Shtëpisë së Kulturës “Jehona e Dukagjinit”.
Në këtë ekspozitë janë shfaqur punime të studentëve të degës së artit figurativ të drejtuar nga profesor, Xhevdet Pantina.
Të pranishëm ishin nënkryetarja e Komunës së Klinës, Marqe Tanushi- Selmanaj, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Fatjona Gashi, stafi i DKRS-së, përfaqësues të KFOR-it Italian, piktorë e artistë të Klinës, nxënës të shkollave etj.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Fatjona Gashi, në fillimin e këtyre aktiviteteve tha se na pret përpara një javë e ngjeshur me aktivitete të larmishme të cilat do të përmbyllen me datën 17 nëntor, me program të veçantë në letërsi.
“Ftoj të gjithë qytetarët klinas e në veçanti të rinjtë të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve që do të shpalosin program kulturor: Ekspozitë, koncert, film, promovim, orë letrare e debat ndërkulturorë, programe këto që do të jenë tejet atraktive për secilin pjesëmarrës. Mirënjohje për gjithsecilin artist që ka mundësuar realizimin dhe i ka dhënë jetë këtij organizimi“ – ka thënë drejtoresha Gashi.
Në fund, nënkryetarja Selmanaj dhe drejtoresha Gashi ju ndanë mirënjohje në shenjë falënderimi profesor Pantinës dhe studentëve pjesëmarrës me punimet e tyre.
Studentët pjesëmarrës me punime ishin: Alma Pajaziti, Argjira Pukaj, Arizona Krasniqi, Besarta Çoçaj, Besnike Maloku – Nikja, Blerina Xhelili, Dhurata Begolli, Donjeta Haziri, Elma Morina, Elvira Stajki, Fana Hasanaj, Rema Salihu, Teutë Bilalli, Valentina Bakija, Diora Musliu dhe Sabile Bërbatovci.