Manifestim kulturo-artistik për pensionimin e zyrtarit të kulturës në Klinë

KlinëPostuar: 16:39 / 09.03.2018

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Art Galery nga Dobërdoli dhe Klubi i Shkrimtarëve “Voreo Ujko” në Klinë, kanë organizuar manifestim kulturor-artistik, me rastin e pensionimit të piktorit akademik Idriz Berisha, zyrtar i deritanishëm për Kulturë në DKRS, në të cilin ka marrë pjesë kryetari i Komunës Zenun Elezaj me bashkëpunëtorë, Jahja Lluka, këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, shkrimtarë, poetë dhe bashkëpunëtorë të Idrizit nga Klina, Prishtina, Peja dhe qytetet tjera të Kosovës.

Me këtë rast është hapur edhe ekspozita personale, katalogëve dhe librave letrare të piktorit Idriz Berisha. Manifestimi ka nisur me ekzekutimin interpretues muzikor nga prof. Rasim Gashi.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka përgëzuar Berishën për gjithë punën që ka bërë në fushëveprimtarinë e tij dhe i ka uruar jetë të gjatë dhe vazhdim të punës së tij të palodhshme në veprimtarinë e pikturës. Jetë të gjatë dhe punë të mbarë Berishës, i ka uruar edhe këshilltari i Kryeministrit, Jahja Lluka.

Idriz Berisha, përveç me pikturë është marrë edhe me poezi dhe skenografi. Për punën e tij, foli Prend Buzhala, i cili tha se Idrizi ishte njeri i kulturës.

“Arti dhe kultura nuk njohin pensionim, Idrizi ka hapur ekspozita në Klinë, komuna të ndryshme të Kosovës, Shqipëri dhe botën e jashtme”, ka thënë Buzhala.

Folën edhe shkrimtari Sejdi Berisha dhe Ramadan Mehmeti, në emër të Shtëpisë Botuese “ Rozafa” në Prishtinë. Për kontributin e dhënë, piktori Berisha, është shpërblyer me mirënjohje dhe libra nga Komuna dhe Shoqata të ndryshme.

U bë edhe përurimi i librit të Prend Buzhalës i titulluar, "Shenja figurative e amësisë”, kushtuar piktorit Idriz Berishës.

Në fund, Berisha, ka falënderuar gjithë të pranishmit për pjesëmarrje, mbështetje në punën e tij dhe ka premtuar angazhim edhe të mëtejmë në lëmine e artit dhe të kulturës. /InfoKomuna/