Peja ka filluar me aktivitetet "Java e Nëntorit"
Komuna e Pejës në bashkëpunim me Ambasaden e Shqipërisë në Kosovë dhe Universitetin "Haxhi Zeka" kanë organizuar aktivitetet "Java e Nëntorit" për nder të 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri i përshëndeti të pranishmit dhe ndër të tjera tha:"Kam nderin e veçantë së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, të nisim manifestimin "Java e Nëntorit" për nder të 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit.
Peja është qyteti që gjithmonë ka festu Festën e Flamurit.
Sot, jemi mbledhur para Përmendores, në të cilën në vitin 1968 qytetarët e Komunës së Pejës për herë të parë, pas rënies së perdes së hekurt kanë ngritur Flamurin Kombëtar.
Krenohemi me Ditën e Flamurit, të cilin e kemi të gjithë në zemër dhe luftojmë që ky Flamur të ngritet sa më lartë dhe t'ju shërbej brezave të ardhshëm, si shembull frymëzimi dhe atdhetarie për të qëndruar në trojet e tyre dhe për të ndërtuar një shtet edhe më të fuqishëm dhe më dinjitoz, në të cilin ja vlen të jetohet dhe sakrifikohet.
Ne i përkujtojmë të gjithë atdhetarët, të cilët kanë sakrifikuar, që të vijë kjo ditë me ngritjen e Flamurit Kombëtar dhe me vendosje të luleve".
Ambasadori Minxhozi e falënderoi Kryetarin Muhaxheri për ftesen për të marrë pjesë në këtë tubim me qytetarë, për të marrë pjesë në një ditë shumë emocionale për çdo shqiptarë kudo në botë për 28 Nëntor - Ditën e Flamurit Kombëtar.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme Kryetari Muhaxheri së bashku me Ambasadorin Minxhozi ishin të pranishëm në programin artistik në Sh. F. M "28 Nëntori" në fshatin Raushiq dhe në koncertin klasik të organizuar nga UHZ, përkatësisht Fakulteti i Arteve./InfoKomuna/