Qytetarët e Pejës i bashkohen nismës kundër privatizimit të kinemasë
Nismës për të kërkuar anulimin e procesit të privatizimit të kinemasë Jusuf Gërvalla i janë bashkuar edhe qytetarët e Pejës.
Rreth dy mijë veta kanë nënshkruar peticionin, i cili është pjesë e kampanjës për rivitalizimin dhe mbrojtjen e kinemasë së qytetit. Festivali Anibar e ka rindezur ekranin e kinemasë, pasi e ka marrë atë në shfrytëzim për pesëmbëdhjetë vjet nga Komuna e Pejës. Por qysh nga dita kur u rihap kinemaja e qytetit, e gjithë festa për rifuksionalizimin e saj u kthye në thirrje për të mos u privatizuar objekti. Kjo pasi që Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte njoftuar se objekti është në likuidim.
Komuna e Pejës ka kërkuar nga Gjykata Themelore e këtij qyteti që të ngrihet procesi i privatizimit të kinemasë Jusuf Gërvalla. Është kërkuar masë e përkohshme derisa ky institucion dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit ti zgjidhin problemet e krijuara rreth këtij objekti. Edhe një pjesë e komunitetit artistik i ka dalë në mbrojtje kinemasë, nëpërmjet një fushate në rrjete sociale. Nismës, që nga e premtja e javës që shkoi e deri më 28 të këtij muaji, do të mundë ti bashkohen edhe vetë qytetarët e Pejës.
Nënshkrimet janë duke u mbledhur në disa pika, përfshirë qendrën e qytetit, Universitetin Haxhi Zeka, Stacionin e autobusëve, Çarshinë e Gjatë dhe kinemanë Jusuf Gërvalla. Deri më tash, iniciativa Kino për Qytetin ka qenë e lansuar online, dhe ka marrë përkrahjen edhe të qytetarëve. Mbledhja e nënshkrimeve nëpër qytet është hapi i dytë në listën e veprimeve kundër procedurës së privatizimit të kinemasë./KohaDitore/