Hapet ekspozita e punimeve nga kolonitë e artistëve

SkënderajPostuar: 10:08 / 15.02.2019

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Komuna e Skenderajt, me rastin e shënimit të 11-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në hollin e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina”, është hapur ekspozita me piktura nga kolonitë e artistëve.

Në këtë ekspozitë artdashësit dhe qytetarët do të kenë mundësi t’i shohin veprat e artistëve nga rajoni i Mitrovicës, punime këto që sjellin peizazhet e bukura të natyrës, por edhe objekte dhe vende të tjera të historisë sonë, si Kulla e Rezistencës, Kulla e Azem Galicës, dhe punime të tjera.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Ramiz Shala, para të pranishmëve, ka thënë se kjo ekspozitë është mundësuar nga “Kolonia e artistëve”, të cilët i ka falënderuar në emër të kryetarit të Komunës, Bekim Jashari.

Ndërkaq më pas, ekspozitën e shpalli të hapur kryesuesja e Kuvendit Komunal, Fatbardha Haliti, e cila duke iu uruar mirë se ardhje nxënësve të shkollave të mesme të qytetit, mësimdhënësve, njerëzve të artit e të kulturës dhe qytetarëve tjerë, ka thënë se ekspozita do të jetë e hapur deri të martën.

Për nder të 17 Shkurtit, Komuna ka organizuar edhe aktivitete të tjera, siç është turniri në futboll të vogël, ku po marrin pjesë shkollat e komunës. Turniri po mbahet në sallën e Qendrës së Kompetencës, ku në ditën e parë janë zhvilluar ndeshjet e rrethit të parë.

Aktivitetet e larmishme për nder të festës së madhe të Kosovës do të vazhdojnë edhe ditëve në vazhdim, ndërkaq të dielën në sheshin e qytetin tonë do të mbahet koncerti festiv ku do të marrim pjesë këngëtarë të mirënjohur të estradës shqiptare. /InfoKomuna/