Bali Muharremaj pret në takim Gjonin pas suksesit që shënoi në Eurovision 2021 (Video)
Këngëtari shqiptar i cili jeton dhe vepron në Zvicër, Gjon Muharremaj, i njohur artistikisht si Gjon’s Tears, e renditi Zvicrën të tretën sivjet në festivalin e madh evropian, Eurovision 2021.
Kënga “Tout l’Univers” madje ishte renditur e para nga juria profesionale, por votimi i publikut më pas e renditi atë të tretin, duke e bërë kështu shqiptarin më të arrirë ndonjëherë në skenën e Eurovisionit.
Gjoni i cili me prejardhje është nga Suhareka e Kosovës, është pritur së fundmi në vendlindje nga djali i xhaxhait të tij, Bali Muharremaj, i cili njëherësh është kryetari i Komunës së Suharekës.
Në një video të publikuar në rrjetin social Facebook, Muharremaj ka treguar momentet nga mikpritja që i ka bërë në zyrë kushëririt të tij, i cili përveç familjes, ka bërë krenarë mbarë Kosovën.
“Na ke bërë krenarë Suharekën, unë si i familjes në radhë të parë, krejt Kosovën i ke bërë krenarë, e ke bërë [krenarë] edhe Shqipërinë”, dëgjohet në video teksa kryetari i kësaj komune i drejtohet kushëririt të tij.
I pari i Suharekës gjithashtu i ka dhënë atij edhe mirënjohje dhe një pikturë dhuratë të punuar nga bashkëluftëtar i tij gjatë luftës.
“Ndjehem shumë krenar që jam këtu, që jam i Suharekës, i Gjinocit, për mua ishte një gëzim i madh të i përfaqësoj edhe Kosovën edhe Shqipërinë. Unë kam lindur në Zvicër por i kam prindërit nga këtu, e kam origjinën nga këtu dhe është kënaqësi e madhe të iu tregoj të tjerëve që kemi shumë talente në Kosovë, që kemi shumë talente edhe në Shqipërinë e madhe”, është shprehur Gjon Muharremaj pas pranimit të mirënjohjes.
Gjoni përndryshe në një intervistë ekskluzive për Telegrafin të dhënë në fillim të këtij viti ishte shprehur se me shumë qejf do ta përfaqësonte Shqipërinë ose Kosovën (nëse fiton të drejtën e pjesëmarrjes) në Eurovision.
Eurovisioni i këtij viti shpalli fitues shtetin e Italisë, me përfaqësues rock-grupin Maneskin me këngën “Zitti E Buoni”, teksa në vendin e dytë u rendit Franca e përfaqësuar nga Barbara Pravi – me këngën “Voila”. /Telegrafi/