Kalaja e Vushtrrisë bëhet me brend autentik

VushtrriPostuar: 14:37 / 09.12.2016

Një projekt me emrin “Platforma e brendit të Komunës me mesazhet kyçe” i prezantuar sot në Kalanë e qytetit të Vushtrrisë, i cili është zbatuar nga Organizata Joqeveritare Qendra Kosovare për Hulumtime Urbane - PRO-PLANNING në bashkëpunim me komunën e Vushtrrisë, ka bërë që Komuna e Vushtrrisë ta ketë brendin e saj unik dhe autentik si qytet.

Në takim morri pjesë kryetari i komunës, Bajram Mulaku, përfaqësues nga programi i USAID-it/Avancojmë Kosovën së Bashku–Zgjidhje Vendore, zyrtarë komunalë, grupi kordinues i komunës për projektin e brendit, përfaqësues të Ministrive, përfaqësues të organizatave të ndryshme, qytetarë të Vushtrrisë etj.

Qëllimi i kësaj ngjarje ishte që të prezantohet para publikut, tregimi, sllogani dhe llogoja e brendit të komunës së Vushtrrisë.

Kryetari Mulaku tha se, Vushtrria deri më tash nuk e ka pasur brendin e saj, dhe nevoja për ta krijuar atë është reflektim ndaj praktikave të mira botërore sipas të cilave brendimi është mjet i domosdoshëm jo vetëm në ndërtimin e identitetit dhe imazhit të komunës por edhe zhvillimit ekonomik. Mulaku tha se ,Vushtrria ka veçoritë e saj dalluese që e bëjnë atë konkuruese në raport me vendet tjera: vlerat e trashëgimisë kulturo-historike, resurset natyrore, potenciali agroindustrial dhe mbi të gjitha diversiteti kulturor dhe rinia kreative.

“Me mbështetjen e USAID-it dhe organizatës PRO-PLANNING, në kuadër të programit AVANCOJMË KOSOVËN SË BASHKU – ZGJIDHJA VENDORE, ne kemi zhvilluar brendin e komunës së Vushtrrisë si një hap më shumë në përpjekjet tona për sigurimin e zhvillimit ekonomik , rritjes së mirëqenies dhe cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Mbi këto vlera është ndërtuar edhe vizioni i ynë për Vushtrrinë si një vend i hapur dhe me mjedis të favorshëm për të bërë biznes, një destinacion atraktiv për vizitorë dhe një vend i sigurtë dhe i dëshiruar për banim.

Ky është thelbi i brendit të Vushtrrisë, në të cilin reflektohet e tashmja jonë por edhe aspiratat tona për të ardhmen: vend i gjallërisë dhe mundësive të ndryshme, mikpritës dhe i hapur, krenar për trashëgiminë e tij”, shtoi Mulaku.

Ekipi punues i këtij projekti i përbërë nga Sadije Deliu, Lumnije Gashi-Shabanani, Njomza Syla si dhe Shpend Klisurica, njoftuan më afër të pranishmit rreth brendit të Komunës së Vushtrrisë, kriteret themelore për përdorimin e llogos dhe sllogani si dhe dhanë shembuj se ku duhet përdorë llogoja dhe sllogani i qytetit të Vushtrrisë.

Përfaqësuesja e USAID, tha se Komuna e Vushtrrisë është shembull për komuna të tjera, pasiqë është ndër të parat, që deri tash për një periudhë të shkurtër krijoj brendin e saj, që e bënë të dallohet nga vendet e tjera.

Ajo shtoi gjithashtu se ky projekt në radhë të parë ka për qëllim ngritjen e komuniteteve ndëretnike, ku të gjitha këto komunitetet të zgjedhin pritoritetin e tyre dhe të ndihmojne në të ardhmen, si në zhvillim ekonomik ashtu edhe në atë shoqëror. “Të gjithë duhet të kemi një identitet dhe ta gëzojmë atë, të ndihemi krenar për atë që jemi”, theksoi drejtoresha.

/InfoKomuna/