Kryetari Xheladini nënshkruan vazhdimin e marrëveshjes për kryerjen e shërbimeve komunale përmes postës

DragashPostuar: 18:54 / 22.12.2023

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, priti sot në takim Kryeshefen Ekzekutive të Postës së Kosovës, Nora Rraci, të shoqëruar nga Saranda Ademi - U.D. e drejtoreshës së Operativës, Mimoza Vila - U.D. e menaxheres Regjionale në Prizren, si dhe Faton Ejupi - U.D.i koordinatorit për Pronat.

Në këtë takim u bisedua për ecurinë e bashkëpunimit ndërmjet Postës së Kosovës dhe Komunës së Dragashit. Me këtë rast u nënshkrua edhe vazhdimi i Marrëveshjes për kryerjen e shërbimeve komunale përmes postës, e cila ka për qëllim që t'u ofrojë qytetarëve të Komunës sonë qasje më të lehtë dhe shërbime më cilësore.

Gjithashtu, sot u nënshkrua edhe kontrata e cila i mundëson Postës së Kosovës shfrytëzimin e pronës së paluajtshme komunale (objektin në fshatin Bresanë) për 99 vite, bazuar në Vendimin e Asamblesë Komunale të datës 15.09.2023.

Kryetari Xheladini i falënderoi për bashkëpunimin përfaqësuesit e Postës së Kosovës, duke shtuar se Komuna e Dragashit është e interesuar që t'i ndihmojë institucionet publike siç është Posta, duke u ofruar në të njëjtën kohë edhe qytetarëve shërbime më të mira.

Në takim u fol edhe për Projektin e Postës së Kosovës, e cila nga qershori i këtij viti është duke u ofruar qytetarëve të Regjionit të Prizrenit, përfshirë Dragashin, edhe shërbimet e aplikimit për Vula Apostile dhe Legalizuese. Të gjithë qytetarët e Komunës së Dragashit të cilët aplikojnë për këto dokumente, mund ta bëjnë këtë përmes Postës në Dragash.