Komuna e Fushë Kosovës me aktivitete të ndryshme me rastin e 17 Shkurtit - Ditës së Pavarësisë së Kosovës

Fushë KosovëPostuar: 17:49 / 16.02.2024

Për nder të 17 Shkurtit - Ditës së Pavarësisë së Kosovës, sot Komuna e Fushë Kosovës organizoi disa aktivitete, duke filluar me seancën solemne e cila u mbajt në Sallën e Kuvendit të Komunës së Fushë Kosovës.

Seanca filloi me intonimin e himnit shtetërorë, e më pas Kryesuesi i Kuvendit, z. Ali Ismaili, mbajti një fjalim, ku ndër të tjera theksoi se “16 vite më parë, në sy të gjithë botës, ndodhi ajo që e besuam vetëm ne, Pavarësia e Republikës së Kosovës, për të cilën sakrifikuan, luftuan dhe dhanë jetën qindra njerëz të mirë e atdhedashës të vendit tonë. Rrugëtimi i Kosovës, shtetit më të ri në Evropë, tashmë po vazhdon me një tjetër dimension, atë të zhvillimit, përparimit dhe forcimit në sektorë e profile të cilat kërkohen për shtet-ndërtim të suksesshëm.”

Në emër të ekzekutivit të Komunës, një fjalë rasti mbajti edhe drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ali Topalli i cili lexoi një përshkrim nga këndi i tij se si e kemi parë dhe si e kemi përjetuar shpalljen e Pavarësisë si një datë ndër më të veçantat në historinë më të re të Kosovës.

Me nga një fjalë rasti u paraqitën edhe të gjithë shefat e grupeve parlamentare si dhe përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta.

Në seancën solemne ishin prezent përfaqësues të Shoqatave dhe organizatave të dala nga lufta, Komandanti i stacionit të Policisë, përfaqësues nga FSK, shoqëria civile etj.  

Pas seancës solemne, të gjithë së bashku bënë homazhe pranë lapidarëve të dëshmorëve dhe varrezave të martirëve.

Në përmbyllje të aktiviteteve në hollin e Gjimnazit “Hivzi Sulejmani” u shfaq një program i pasur kulturo-artistik i organizuar nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.