Komuna e Fushë Kosovës përfituese e ndihmës nga Suedia

Fushë KosovëPostuar: 16:59 / 13.03.2024

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, ka zhvilluar një takim pune me përfaqësuesit e fondacionit suedez, Robert Bergman, Drejtor dhe Monica Samuelsson, përgjegjëse për informim nga organizata “Human Bridges“ dhe Xhafer Balaj nga organizata “KIF Liria”.

Temë e takimit ka qenë koordinimi i ndihmës së vazhdueshme që këto organizata kanë dhënë në mënyrë të vazhdueshme për qytetarët e kësaj komune.  

Me këtë rast, kryetari Berisha ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët të cilët ndihmuan në realizimin e marrjes së këtyre donacioneve si dhe Miftar Zagragja i cili për më shumë se një dekadë nuk është kursyer për të lehtësuar arritjen e ndihmave në Komunën e Fushë Kosovës.

Në këtë takim është arritur pajtimi për kontigjentin e radhës që pritet të arrij në Fushë Kosovë, paralelisht me ndërtimin e Qendrës së Re të Mjekësisë Familjare.

Ndihma konsiston në aparatura mjekësore, material shpenzues medicinal, mjete dhe materiale të nevojshme për personat me aftësi të veçanta për Qendrën e Mjekësisë Familjare, Handicap dhe Kryqin e Kuq.