Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Gjakovës

GjakovëPostuar: 19:15 / 26.02.2024

Me kërkesë nga Grupi i Asambleistëve të Vetëvendosjes, është mbajtur mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Gjakovës, për të diskutuar mbi vendimin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për lirimin e banesave të banimit social nga familjet që nuk i plotësojnë kriteret në bazë të ligjeve në fuqi.

Në fjalën e saj, Shefja e Grupit të Asamblesitëve të VV-së Mimoza Shala u shpreh mirënjohëse për pranimin e kërkesës për të diskutuar për këtë çështje, e cila sipas saj ka ardhur si rrjedhojë e kërkesës nga ana e banorëve të banimit social. Ndër të tjera, ajo tha se janë të vetëdijshëm që ka keqpërdorues të këtij objekti, të cilët nuk i plotësojnë kriteret e nevojshme për të qenë banorë të banimit social. Gjithashtu, ajo tha se ka familje që i përkasin rasteve sociale dhe të njëjtat nuk e meritojnë të largohen nga aty.

Duke dhënë më shumë informata rreth çështjes në fjalë, Kryetari i Komunës Ardian Gjini, ka theksuar se ky proces është administrativ dhe ligjor që nuk ka asnjë lidhje me politikën. Ndër të tjera, ai informoi se dokumentet që janë dërguar tek njësitë e banimit nga DSHMS dhe komisioni përkatës, janë dorëzuar tek secila njësi banimi, ashtu sic na obligojnë ligjet në fuqi. Ai i ka siguruar banorët që ata që plotësojnë kriteret e nevojshme për të banuar në objektin e banimit social, nuk do të largohen në asnjë mënyrë. Gjithashtu, ai është shprehur se përveq këtyre objekteve, Komuna e Gjakovës është në proces e sipër të ndërtimit të objektit të ri të banimit social me 16 njësi banimi, janë ndërtuar shtëpi banimi me bashkëfinancim për familjet në nevojë dhe se çdo muaj ndahen mjete financiare për pagesa të qirave për familje në kushte të vështira ekonomike.

Ndërkaq, Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Adelina Shehu Kola, ka informuar se i gjithë procesi nga ana e DSHMS-së dhe komisionit, po realizohet në bazë të ligjit dhe se ajo është takuar me të gjithë banorët për t’iu sqaruar procesin.

Asambleistët të cilët morrën fjalën gjatë kësaj mbledhjeje, thanë njëzëri se janë të vetëdijshëm që aktualisht në këto objekte banimi ka parregullësi nga disa banorë të papërgjegjshëm dhe për këtë arsye ligji duhet të zbatohet njëjtë për të gjithë.