Mbahet mbledhja e rregullt e Kuvendit Komunal të Gjakovës, kushtuar 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

GjakovëPostuar: 17:30 / 16.02.2024

Kuvendi i Komunës së Gjakovës, ka mbajtur mbledhjen e radhës të rregullt, pjesën kryesore të së cilës i'a ka kushtuar 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në seancën, e cila në këtë rast ishte dukshëm më solemne se seancat e tjera, fjalë rasti mbajtën Kryetari i Komunës Ardian Gjini, Kryesuesja e Kuvendit Arbënesha Kuqi si dhe përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike që janë pjesë e Kuvendit të Komunës.

Në fjalën e tij, Kryetari Gjini duke i uruar qytetarët e Gjakovës dhe tërë Kosovës për këtë ditë të shënuar, mes tjerash ka rikujtuar edhe tërë sakrificën dhe kontributin ndër vite që Kosova të jetë shtet i lirë dhe i pavarur.

Duke mos e harruar asnjëherë kontributin e secilit shqiptar, megjithatë Kryetari Gjini ka shtuar se për asnjë moment nuk guxojmë ta harrojmë apo ta nëpërkëmbim kontributin jetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, pa të cilët vështirë që Kosova do të ishte e lirë dhe e pavarur.

Kryetari Gjini, po ashtu ka rikujtuar gjendjen jo të mirë në të cilën kanë jetuar dikur shqiptarët në Kosovë dhe të arriturat që kanë ndodhur gjatë këtyre 23 viteve. Megjithatë ai ka shtuar se kjo nuk duhet të na ndalë dhe që të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë që Kosovën ta bëjmë edhe më të mirë.

Ndryshe, pas përfundimit të pjesës solemne të mbledhjes, seanca e sotme ka vazhduar me pikat e zakonshme të rendit të ditës, me c’rast Udhëheqësi i Auditorit të Brendshëm Arbër Gola ka prezantuar planin e punës për vitin 2024 të kësaj njësie si dhe planin strategjik 2024-2027.