Nisin punimet në renovimin e tërësishëm të shkollës “Zef Lush Marku” në Brekoc të Gjakovës

GjakovëPostuar: 13:22 / 19.03.2024

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka njoftuar se kanë nisur punimet në renovimin e tërësishëm të shkollës “Zef Lush Marku” në Brekoc, ku me këtë rast kryetari Gjini ka vizituar gjatë ditës së sotme këto punime.

Lidhur me këtë vizitë, kryetari Gjini ka shkruar:

“Sot, bashkë me drejtoreshën e Arsimit, Eranda Kumnova- Baçi, vizituam shkollën për të parë nga afër mbarëvajtjen e punimeve.

Me një kosto prej 250 mijë euro nga buxheti komunal, do të bëhet riparimi i pjesëve të dëmtuara të shkollës, ku përfshihen: renovimi i kulmit, ndërrimi i dyerve dhe dritareve, fasada, instalimi i ngrohjes qendrore, rregullimi i oborrit, ndriçimi etj.

Bazuar në planin dinamik të punimeve, renovimi i objektit shkollor do të finalizohet në fund të verës.

Më gëzon tej mase fakti se nga viti i ardhshëm shkollor, nxënësit dhe kolektivi i kësaj shkolle do të zhvillojnë procesin mësimor në një objekt të kompletuar, me të gjitha kushtet për arsim cilësor.”