Arbër R. Ismajli kandidon për kryetar të Komunës së Gjilanit – “Zëri i një gjenerate që kërkon ndryshim”
Gjilan – Arbër R. Ismajli është zyrtarizuar si kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Gjilanit, në zgjedhjet e ardhshme lokale. Nominimi i tij është mirëpritur nga strukturat lokale dhe qendrore të partisë, si dhe nga përfaqësues të shumtë të shoqërisë gjilanase.
Me një përvojë të konsiderueshme në institucionet komunale dhe një profil publik të ndërtuar mbi angazhim të sinqertë dhe përfaqësim dinjitoz, Arbër Ismajli vjen si përfaqësues i një gjenerate të re që, sipas tij, beson në punë të ndershme, bashkëpunim dhe një të ardhme më të mirë për qytetin.
“Koha e ndarjeve ka kaluar. Gjilanit i duhet bashkim, vizion dhe energji e re. Ky nominim nuk është privilegj, por përgjegjësi për të udhëhequr një kapitull të ri zhvillimi për qytetin tonë”, është shprehur Ismajli në një deklaratë publike.
Ai theksoi se synon të sjellë qasje të re në udhëheqje – për një Gjilan me më shumë zhvillim ekonomik, arsim cilësor, shërbime komunale efikase dhe më shumë hapësira për të rinjtë, gratë dhe bizneset lokale.
LDK, përmes kryetarit Lumir Abdixhiku dhe kreut të degës në Gjilan, Lutfi Haziri, ka shprehur mbështetje të fuqishme për kandidaturën e Ismajlit, duke e vlerësuar atë si një profil që mishëron vlerat e partisë dhe kërkesat e qytetarëve.
Me sloganin “Zëri i Gjilanit që kërkon Ndryshim”, Arbër R. Ismajli nis zyrtarisht fushatën për të fituar besimin e qytetarëve dhe për të udhëhequr komunën drejt një të ardhmeje më të mirë.
