Fillon projekti madhor 2.4 milionë euro në Gjilan

GjilanPostuar: 10:59 / 28.03.2024

Gjatë ditës së djeshme, kanë filluar punimet e njërit ndër projektet më të mëdha në Gjilan. Është fjala për zgjerimin e rrugës “Hamdi Kurteshi” në vlerë prej 2.4 milionë euro.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i shoqëruar edhe drejtori për Shërbime Publike, Infrastrukturë e Banim, Mentor Mihovci dhe ai për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bejtullah Osmani si dhe përfaqësues të Forcës së Sigurisë kanë parë nga afër nisjen e punimeve.

"Projektet nga prezantimi 7 javë - 7 projekte, po marrin jetë", tha Hyseni.

I pari i komunës, tha se pas sezonit dimëror, tash janë krijuar kushtet për vazhdim të punimeve. Ky projekt është njëri nga rrugët më të frekuentuara dhe më të rëndësishme për hyrje-dalje nga Gjilani.

“Si një nga projektet më të mëdha kapitale, ky projekt do të zgjerojë infrastrukturën e qytetit dhe do të përmirësojë dukshëm jetën e qytetarëve. Për Gjilanin që duam”, tha Hyseni. Kryetari i Gjilanit, tha se punimet kanë filluar brenda kazermës së FSK për të ndërtuar murin e perimetrit të parë të sigurisë.

Sipas Hysenit, në fund të muajit prill, dalin jashtë këtij perimetri dhe vazhdojnë punimet në hapësirën e jashtme. Kjo pjesë përgjatë Kazermës së FSK-së do të ketë rrugë me katër krosi, trotuar në dy anët, shteg për biçikleta, infrastrukturë nëntokësore (përfshirë edhe zhvendosjen e kabllove elektrike në kanale nëntokësore), apo mbulimi i lumit Stanishorka.

Punimet pritet të përfundohen brenda vitit 2024!

Ky projekt me bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ishte prezantuar me 22 janar të këtij viti, në kuadër të projekteve me moton "7 javë – 7 projekte", derisa gurthemeli ishte vënë me 1 dhjetor.