KOSTT-ti investon miliona euro në Drenas

GllogocPostuar: 16:07 / 05.05.2017

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorë ka pritur në takim, drejtorin për menaxhinin e projekteve në KOSTT, Ilir Shala dhe menaxherin e projekteve Alban Imeri, me të cilët ka biseduar për fazën e implementimit të projektit për ndërtimin e largpërçuesit 220kv/110kv, projekt ky i cili kap vlerën prej 7.4 milion euro, njofton InfoKomuna.

Në këtë takim, janë dakorduar që faza e parë e implementimit të këtij projekti të kompletohet me dokumentacionin e pronave në zonat kadastrale në Drenas, përkatësisht nga qendra ekzistuese e trafostacionit, pastaj në drejtim të fshatit Shtrubullovë dhe kyçja në largpërçuesin në fshatin Krajkovë.

Kryetari Lladrovci ka përkrahur këtë projekt dhe ka thënë se do të krijojnë lehtësira në kompletimin e dokumenatacioneve të nevojshme për zonat kadastrale ku kalon projekti. Lladrovci ka falënderuar përfaqësuesit e KOSTT-it për përkushtimin e finalizimit të këtij projekti dhe ka vlerësuar se projekti do të jetë në interes të zhvillimit ekonomik të Komunës së Drenasit. Ndryshe ky projekt financohet nga Banka Evropiane për Zhvillim (BERZH) dhe është loto e 3-të e largpërçuesit të ri 220kv/110kv deri në kyçjen egzistuese në fshatin Krajkovë, dhe vlera e tij është prej 7.4 milion euro.

Qendra transformatorike do të ndërtohet me tipin GIS (tipi më i ri i qendrave transformatorike), me dy transformatorët e fuqisë 220kv/110kv ne gjatësi prej 4 kilometra.

Projekti do të fillojë gjatë këtij viti, konkretisht në muajin korrik dhe finalizimi i tij do të behët brenda 24 muajve. Kompenzimi i pronave do të behët nga Ministria e Financave, kurse dokumentacionet e nevojshme merren në Komunë.

/InfoKomuna/