Komuna e Graçanicës subvencioni tri herë brenda vitit një OJQ me 20 mijë
Auditori i Përgjithshëm ka gjetur shumë shkelje në Komunën e Graçanicës. Nga shpenzimi i të hollave pa mbulesë e deri te punësimi pa kritere janë të gjeturat e raportit të Auditorit.
Po ashtu Auditori i Përgjithshëm konstaton se komuna nuk i ka përfillur asnjë nga rekomandimet e vitit të kaluar. Nga paragrafi më lartë shihet se pjesa më e madhe e rekomandimeve të vitit të kaluar nuk janë zbatuar, sepse komuna nuk ka ndjekur ndonjë proces formal për të menaxhuar dhe monitoruar veprimet në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, thuhet në të gjeturat e Auditorit, raporton lajmi.net.
Raporti ka gjetur po ashtu edhe shkelje ligjore dhe parregullsi në punësime. Një e punësuar në pozitë profesor në shkollën ekonomike me vendim të komunës punon si asistente administrative në komunë. Ndonëse, pozitat e tilla nuk kanë kualifikime (gradime) të njëjta, megjithatë, paga e të punësuarës është kompensuar në shumën e njejtë nga buxheti i drejtorisë së arsimit. Mësimdhënësja në Shkollën fillore Milladin Mitic është angazhuar në punë pa zhvilluar procedura të rekrutimit. Në rastin tjetër, për pozitën zyrtar për zotimin e mjeteve buxhetore, nuk janë plotësuar kriteret mbi përvojën e punës siç janë kërkuar me konkurs.
Në aplikacionin e punësimit nuk është shënuar përvoja e punës dhe nuk ka pasur dëshmi se e punësuara ka përvojë të punës. Komuna gjatë vitit 2016 ka të angazhuar 16 punëtor me marrveshje për shërbime të veçanta në administratën komunale. Për më tepër, këto pozita janë të rregullta në komunë derisa kanë kontratë për shërbime të veçanta. Njëri nga këto pozita është zyrtar i lartë menaxher prokurimi. Po ashtu Komuna e Graçanicës ka paguar 4 mijë e 243 euro për shërbime telefonike pa zhvilluar procedura të prokurimit. Pagesa në vlerë 4,243 për shërbimet e telefonisë mobile për operatorin IPKO, është e bazuar në një kontratë të parapagimit për biznese nga viti 2010. Sipas kësaj shihet se komuna nuk ka zhvilluar procedura të prokurimit sipas kërkesave ligjore (LPP), vazhdon raporti.
Kjo komunë paguan avokatin nga kategoria mallra dhe shërbime, gjë që është në kundërshtim me shpenzimin e financave publike Nga viti 2015 komuna paguan për shërbimet e avokatisë duke u bazuar në një vendim të kryetarit mbi autorizimin e këtyre shërbimeve. Sipas komunës pozita e avokatit është e nevojshme dhe duhet të jetë pozitë e rregullt. Megjithatë, për këtë pozitë nuk ka kontratë të rregullt dhe pagesa për shërbime të avokatit, vazhdon të paguhet përmes kategorisë së mallrave dhe shërbimeve.
Raporti thotë se komuna po ashtu kishte nënshkruar kontratën për Shërbimet e projektimit për nevojat e komunës në vlerë 20,725, pa pasur zotimin e plotë të mjeteve (kishte zotuar 50% të fondeve) 6. Komuna ka keqëpërdorur edhe financat për transportin e studentëve thotë raporti i auditorit. Komuna ka paguar transportin e studentëve për territorin e komunës në vlerë 5,500. Në raport vërejtëm që përveç territorit të komunës së Graçanicës, janë transportuar studentë edhe jashtë territorit të komunës (në Mitrovicë). Pagesa është kryer duke u bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit me OJQ-në Comunication for Social Developement, mirëpo nuk është vërejtur ndonjë procedurë në përzgjedhjen e kryesit të shërbimit dhe nuk dihet nëse çmimi i paguar është sipas çmimit të tregut.
Komuna në bazë të një marrëveshje bashkëpunimi ka paguar 1,500 biznesit individual, i cili merret me strehimin dhe trajtimin e qenve endacak. Në kërkesën e bashkangjitur për pagesë vërehet që shpenzimet janë për punëtorë, ushqim dhe pije, si dhe shpenzimet e veterinës. Komuna nuk ka dëshmi të arsyeshme për llojin e veprimtarisë apo arsyeshmërinë e subvencionimit për biznesin privat. Gjithashtu, nuk ka raport detaj për shpenzimin e mjeteve.
Komuna e Graçanicës ka rregulloren të brendshme për ndarjen e subvencioneve, e cila përcakton personat e autorizuar për vlerën e ndarjes së subvencioneve. Megjithatë, në rregullore nuk është e përcaktuar sa herë mund të subvencionohet i njëjti përfitues brenda vitit. Si pasojë, disa organizata joqeveritare kanë përfituar disa herë brenda vitit dhe për vite me radhë. Subvencionimi më tepër se një herë brenda vitit, qoftë edhe për projekte të ndryshme, por për përfituesin e njëjtë bën që të tejkalohet vlera prej 10,000 (limiti i përcaktuar me rregullore për subvencione. Organizata joqeveritare Comunication for Social Developement është subvencionuar tri herë deri me tani në shumë prej (20,580), dhe Sportsko Drustvo Pokretac pesë herë me (15,390).
Për projektin Ndërtimi i rrugës Skullaneva Suha Doll (270,727), sipas dosjes së tenderit, si kriter është kërkuar nga OE vërtetimi mbi obligimet ndaj ATK-së. OE fitues ka dorëzuar vërtetimin nga ATK se nuk ka borxhe, megjithatë komuna ka verifikuar vlefshmërinë e këtij vërtetimi përmes sistemit të ATK-së dhe është vërtetuar se OE ka pasur borxhe të pashlyera në ATK. Përkundër kësaj, i njëjti operator është shpallur fitues i tenderit.